Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, në një intervistë të dhënë për emisionin “Pasdite me Xhaxhiun” në televizionin Faxnews, ka folur rreth ndryshimeve në Kodin Zgjedhor që u ndërmorrën ditën e sotme në Kuvendin e Shqipërisë nga mazhoranca qeveritare.
Ndoka shprehet se këto ndryshime të njëanshme nuk e kanë shqetësuar opozitën pasi ajo i beson frymës, dhe sipas tij fryma e votës së njerëzve shkon drejt fitores të Opozitës së Bashkuar në zgjedhjet e 25 Prillit.
Ndoka e cilëson pjesëmarrjen në Këshillin Politik si një akt madhor të opozitës për të mos penguar integrimin europian të vendit.
“Ne më tepër i kemi besuar frymës, kjo është dhe arsyeja pse opozita dhe Basha a pasur në qetësi gjatë kësaj periudhe. Ne duhet të kemi një ndëshkim nominal nga BE për Ramën. Diskutohet dhe rikthimi i regjimit të vizave. Rama ka një frikë të largohet nga pushteti, pasi ka frikë se ky pushtet do ta zë poshtë. Nuk kemi mekanizëm përveç përballjes me të, për ne është i rëndësishëm proçesi zgjedhor.
Dhamë kontributin tonë për të mos u bërë pengesë. Kjo është një shenjë vlerësuese për zotin Basha pasi ka qenë promoter i dialogut për të nxitur integrimin Europian. Por Rama synon që një minorancë të përfitojë më shumë nga grabitja e pronës publike dhe që synon të vjedhë zgjedhjet e ardhshme”.-u shpreh Ndoka.
Gjithashtu pyetjes së gazetarit se a i ka lënë në mes Basha kauzat radikale për rrëzimin e qeverisë, si protestat ose çadra e 2017-ës, Ndoka iu përgjigj duke thënë se Basha është një lider idesh dhe jo një lider përplasjesh. Ai shprehet se veprimet politike të kryedemokratit kanë qenë paralajmëruese dhe jo paralizuese.
“Nuk i ka lënë kauzat, por e ka ndrërtuar strategjinë e tij në këtë mënyrë. Lëvizjet e tij kanë qenë lëvizje paralajmëruese dhe jo lëvizje paralizuese. Basha ka treguar një model tjetër në politikën shqiptare, ai nuk është një lider përplasjesh por një lider idesh.
Ky popull është një popull që të ndëshkon kur dëgjon afera korruptive, kur pengohet integrimi dhe kur ka rënie ekonomike. Basha është një kandidat për kryeministër i kujdesshëm, i cili bën premtime të realizueshme dhe nuk thotë mashtrime”.-tha Ndoka.
/faxweb
