Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në fjalën e tij në seancë plenarë u shpreh se me paketën fiskale e cila pritet të votohet sot në tërësi, qeveria godet prodhimin vendas. 

Duke u ndalur në protestën e fermerëve Basha tha se ata sot protestojnë me të drejtë, pasi buxheti për bujqësinë do të jetë më i ulët se i vitit të shkuar.

“Ndërsa këtu pseudomazhoranca bëhet gati të votojë sy mbyllur për mënyrën se si do të shpenzohen taksat e qytetarëve vitin e ardhshëm dhe ato në vijim, përfaqësuesit e fermerëve që përfaqësojnë 40% të të punësuarve në Shqipëri, kanë harxhuar para nga xhepat e tyre për të udhëtuar drejt Tiranës, që t’u dëgjohet zëri.

Mos tu shkelet sakrificia, mos t’u hidhet tutje mundi, t’u respektohet vështirësia që kanë për të bërë punën e tyre, për të nxjerrë bukën e gojës, për të shkolluar fëmijët, për t’i dhënë këtij vendi 20% të prodhimit të brendshëm bruto. Shifër kjo më e larta në rajon dhe në Europë, që tregon se sa peshë ka bujqësia në ekonominë tonë, e që vetëm për këtë arsye duhet të dëgjohen përpara se të ngrihen kartonat, me sytë e veshët mbyllur.

Ata protestojnë sot, siç kanë protestuar me të drejtë çdo vit, që mos të gjenden përballë rrugës së vetme ku i çoni me shpërfilljen tuaj, te flakja e produkteve dhe largimi nga Shqipëria.

Protestojnë sepse ndryshe nga sa përrallisni lart e poshtë, buxheti për bujqësinë për këtë vit, do të jetë më i ulët se i vitit të shkuar.

Protestojnë sepse përveç rritjes së çmimeve të inputeve bujqësore që po e ndjejnë në xhepat e tyre, do të përballen edhe me rritjen shtesë me 10 % të çmimit, meqënëse ju vendosët të shtoni me 10% TVSH-në, e po ashtu po hiqni 6% e TVSH-së së kreditueshme.

Protestojnë sepse në vend të mbështesni prodhimin vendas, po e godisni në të gjitha hallkat e zinxhirit të ekonomisë së ushqimit.

Por mbi të gjitha, protestojnë sepse ju nuk jeni konsultuar me askënd për këto masa që po e dëmtojnë bujqësinë, po i dëmtojnë familjet që jetojnë me tokën dhe blegtorinë, dëmton bizneset që kanë investuar në këtë sektor, protestojnë sepse nuk keni dëgjuar grupet e interesit përpara se të merrni angazhime që do të prodhojnë efekte negative të drejtpërdrejta në veprimtarinë e tyre”, u shpreh Basha.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re