Lulzim Basha ka dhënë një deklaratë për mediat pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë Demokratike, ku janë marrë disa vendime. Kryeopozitari foli për hartimin e një kalendari protestash, të cilat do të shtrihen në të gjithë vendin.
“Vendimi i parë i kryesisë ka të bëjë me hartimin e një kalendari protestash të shtrirë në të gjithë vendin dhe protestave kombëtare në Tiranë. Protestat popullore do të vijojnë për largimin e Maduros së Ballkanit”,u shpreh ai.
Basha theksoi se protestat do të ndërthuren me shpalosjen e alternativës dhe programit ekonomik të Partisë Demokratike, i cili do të marrë në konsideratë edhe sugjerimet e qytetarëve.
“Do bëjmë shpalosjen e alternativës, vizionit dhe programit ekonomik të Partisë Demokratike. Ne do t’i japim Shqipëriunë vizionin tonë, me besimin dhe bindjen se Shqipëria do të ketë një të ardhme evropiane. Bashëk me qytetarët do të marrim vendime se si duhet të duket kjo e ardhme”, tha Basha.
Lulzim Basha foli edhe për zgjedhje të parakohshme parlamentare, ndërkohë që Partia Demokratike do të përgatitet për hartimin e listave me kandidatët më të mirë.
Partia Demokratike së bashku me Lëvizjen Socialiste për Integrim dorëzuan ditën e djeshme mandatet e deputetëve, si reagim ndaj publikimit, sipas tyre, të fakteve që provojnë manipulimin e zgjedhjeve në favor të Partisë Socialiste nga bandat kriminale.