Kryetari i Partisë Demokratike në një dalje për mediat tha se kapja e ekonomisë nga krimi po sjell destabilizimin total të vendit. Nga selia blu, kreu i demokratëve tha se opozita sapo të vijë në qeveri do të ndërmarrë një operacion të gjerë për hetimin, zbulimin dhe ndëshkimin e vjedhjeve dhe grabitjeve që i janë bërë Shqipërisë.

Basha: Ngritja e krimit ndërkombëtar shqiptar, nga trafiku i drogës, pastrimi i parave, trafiku i qënieve njerëzore dhe aktiviteteve të tjera kriminale janë të lidhur me aktivitetet ekonomike kriminale të Ramës. Krimi është fuqizuar, ka kapur ekonominë, politikën dhe ky do të jetë destabilizim total i vendit.

Për mua personalisht, për PD, për opozitën zhdukja e ndikimit dhe pasojave të politikës kriminale, të grabitjes së vendit dhe tjetërsimit të ekonomisë publike në duart e një grushti njerëzish është emergjencë kombëtare.

Që ditën e parë të qeverisjes para çdo gjëje dhe mbi gjithçka tjetër do të ndërmarrim një operacion të gjerë, të paparë dhe padëgjuar ndonjëherë, me shtrirjen nga Shqipëria në vendet e tjera për hetimin, zbulimin dhe ndëshkimin e vjedhjeve dhe grabitjeve që i janë bërë Shqipërisë.

Basha tregon 3 format e grabitjes së parave dhe pasurive publike përmes koncesioneve dhe kontratave korruptive

Të gjitha janë koncesione dhe kontrata korruptive në përfitim direkt personal të Edi Ramës dhe klientëve të tij, pa asnjë përfitim publik.

Formulat e grabitjes janë të thjeshta.

Në rastin e koncesionit të rrugëve: Fryrje me disa herë e kostove të ndërtimit dhe mirëmbajtjes së rrugëve për të ndarë të gjitha fondet e fryra me Edi Ramën dhe qeveritarët.

Në rastin e koncesionit të pompave, sikurse në koncesionet e plehrave, në koncesionet e shëndetësisë dhe të të gjitha llojeve të tjera formula është: jep kontrata dhjetravjeçare për shërbime pa asnjë kosto dhe rrezik për privatin me çmime të fryra të financuara tërësisht pa asnjë rezik nga buxheti i shtetit, për të ndarë pastaj paratë me Edi Ramën dhe qeveritarët.

Forma tjetër e grabitjes është: dhënia e pasurive natyrore në përdorim apo për koncesione mbi burimet natyrore. Bregdeti, pyjet, lumenjtë, mineralet po u jepen privatëve gjoja për investime serioze dhe strategjike, Koncesione hodrocentralesh, privatizim bregdeti, ndërtime në zonat e mbrojtura, të gjitha janë shfrytëzim pa asnjë përfitim apo leverdi ekonomike i pasurive të vendit nga një grusht oligarkësh.

E gjithë qeverisja e Edi Ramës tashmë është një aktivitet i përditshëm dhe i vazhdueshëm kriminal.

Çdo akt, çdo veprim, çdo firmë e Edi Ramës dhe minsitrave bëhet vetëm për të vjedhur, vetëm për të grabitur, vetëm për të përfituar padrejtësisht.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re