Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një deklaratë për mediat tregoi se çfarë kishte diskutuar së bashku me aleatët opozitarë në takimin me presidentin Ilir Meta.

Sipas tij, qëllimi i vetëm i Ramës është kapja e institucioneve të drejtësisë dhe Gjykatës Kushtetuese dhe theksoi se kjo është një grusht kushtetues.

” U njohëm me ndërhyrjen flagrante të kryeministrit në Reformën Zgjedhore, si dhe në emërimin e gjyqtarëve të Gjykatën Kushtetuese. Provohet se qëllimi s’është zbatimi, por kapja e gjykatës Kushtetuese. PD dhe aleatët e kanë konsideruar që prej fillimit këtë një grusht kushtetues.

Përtej kësaj, është edhe një provë më shumë se Reforma në Drejtësi është e rrezikuar, drejtësia e pavarur, mbetet një iluzion.

E pamë në rastin e Saimir Tahirit, në dosjet 184 dhe 339, e pamë edhe në varrosjen e aferave. PD dhe opozita janë për një Reformë në Drejtësi sipas Kushtetutës. Sipas Kushtetutës dhe jo sipas planeve, anktheve dhe problemeve të qeverisjes aktuale. Prej më shumë se tre muajsh kjo detyrë është shtruar nga Gjermania, përmes mocionit të përbashkët të Bundestagut. Është shtruar prej më shumë se 2 muajsh.

Opozita ka 2 muaj që ka shprehur gatishmërinë për Reformën Zgjedhore. Prej 4 muajsh, Edi Rama ka refuzuar dialogun e ofruar nga ndërkombëtarët. Opozita nuk ofron dhe mbështet për kalendat greke, të Reformës Zgjedhore.

Javën e ardhshme, opozita do të paraqesë të gjitha propozimet për këtë Reformë. Kemi patur vetëm refuzim dhe kushtëzim të dialogut. Ky është një film i parë e i stërparë. Qeveria përpiqet t’ia hedhë fajin opozitës.

Propozimet do të jenë gati para gjysmës së dhjetorit. S’ka asnjë shtyrje për zgjedhjet e parakohshme dhe qeveri kujdestare. S’i mungon Shqipërisë asgjë në krahasim me Maqedoninë e Veriut.

Lidershipi atje, mori përgjegjësinë përsipër për të garantuar votën. Do të insistojmë në këtë kërkesë të pandryshuar të opozitës.

Do të marrim të gjitha hapat, do t’ju drejtohemi edhe shqiptarëve që janë shumicë pro zgjedhjeve të parakohshme, për të marrë të gjitha hapat përballë një qeverie autokrate,”-deklaroi Basha.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re