BERAT

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka gjetur një pritje entuziaste në Berat ku ndodhet pasditen e sotme për një takim me aktivin e zgjeruar të qarkut.

Basha tha se kjo pritje është një mesazh ndaj atyre dhe atij që e ka mbajtur Beratin peng me krimin e oligarkinë. Ai tha se nuk do ketë zgjedhje me krimin e hajdutët në 30 qershor.

“Me fjalë nuk i shpreh dot emocionet e kësaj pritjeje madhështore që në fakt është mesazhi më i qartë, më i vendosur, më i prerë. Mesazh ndaj atyre dhe atij që e ka mbajtur Beratin peng, qytetarët e Beratit peng me krimin, oligarkinë. I ka vjedhur i ka varfëruar, i ka shpronësuar i ka dërguar në emigracion dhe që guxon të mendojë se do t’i hedhë kularin në fyt Beratit më 30 qershor, nuk do të ketë zgjedhje me krimin, me hajdutët. Dëgjojeni Beratin, shikojeni Beratin, Beratin e shpresës, të lirisë, të demokracisë. Berati dhe beratasit në këmbë për liri, dinjitet, demokraci e për Shqipërinë si gjithë Europa”, tha Basha, ndërsa kjo thirrje është përsëritur në kor dhjetëra herë nga mbështetësit e tij.

Ai foli për vizitën në Britani dhe theksoi se bashkë me aleatët opozita do ta bëjë Shqipërinë si gjithë Europa.
“Ndjesë qindra të tjerëve dhe më lejoni që ta them këtu nga Berati, pas vizitës në Perëndim se bashkë me aleatët tanë do ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa. Asnjë hap pas drejt diktaturës së krimit, drejt despotizmit me frymëzim lindor. Ne e kemi bërë zgjedhjen tonë, e kemi nisur këtë betejë jo për pushtet, jo për karrige por për një ideal që frymon prej ditës sonë të parë. Ne do ta bëjmë Shqipërinë si gjithë europa.
Vëllezër dhe motra e kam të vështirë kur mesazhet i jep salla, populli. E kam të vështirë të konkurroj me këto mesazhe që ngrohin dhe ngrenë peshë shpirtrat e shqiptarëve me shpresën e madhe që po mbulon si bekim anë e mbanë vendit për një ndryshim të madh që po vjen”, deklaroi Basha nga Berati.

(m.k/BalkanWeb)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re