Anëtarja e Kryesisë së Partisë Demokratike, Grida Duma, e ka konsideruar “hetim politik”, thirrjen e kreut të PD-së, Lulzim Basha si i pandehur në Prokurori në lidhje me çështjen e lobimit në SHBA.

Nga studio e “Ora Neës”, Duma u shpreh se kjo lëvizje e prokurorisë, sipas saj, po bëhet për të provokuar demokratët, por thekson se ky është momenti më i keq për Shqipërinë.

“Mbetet për tu theksuar që kemi të bëjmë me një hetim politik që ka të gjitha gjasat për t’u quajtur i tillë, për shkak të paragjykimit të institucionit të Prokurorisë. Ashtu siç e nisëm nuk kemi të bëjmë më me institucione.

Është e paragjykuar Prokuroria për shkak të kalvarit të gjatë të mos hetimeve të veta dhe njëanësisë politike që tashmë ka për shkak të votimit me votat vetëm të maxhorancës të Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme.

Shumë shtyrje të reformës në Drejtësi janë bërë me qëllim. Sa i përket këtij lajmi, është provokim ndaj demokratëve.

Është momenti më i keq për Shqipërinë, nëse demokratët, që janë duke kryer betejën e tyre  që ka një emër, vota e lirë, nëse provokohen në këtë mënyrë nga një Prokurori që nuk veproi asnjë ditë për grupet kriminale, dhe bën këtë veprim sot, ndërkohë që duhet të përmendim me shqetësim që Shqipërisë nuk po i hapen negociatat”, tha Duma.

Duma ka folur edhe për një plan B të kryeministrit Rama, që sipas saj lidhet me mos hapjen e negociatave, ndërsa theksoi se ky plan është lindja.

“Mos hapja e negociatave për mua, që vite më patë, lidhet me një element tjetër të rëndësishëm të Edi Ramës, i cili fliste gjithmonë për një plan B dhe plani B që nuk është diskutuar kurrë nga kreu i Qeverisë në 20 vite, ka filluar të diskutohet në këto 5 apo 6 vite nga Rama.

Nuk është folur kurrë, jo publikisht, por as nën skuta nuk është folur që mund të ketë një plan B për Shqipërinë dhe ky plan i bie lindja.

Fakti që kemi një lobim të qartë që nuk shkon vetëm drejt BE dhe SHBA, i cili shkon drejt lindjes, unë besoj që këtë gjë nuk e kemi trajtuar sa duhet”, u shpreh Duma.

Theksojmë se ky është një hetim amerikan, dhe se Zëri i Amerikës sapo e përcolli një fakt të tillë, duke nënvizuar se Basha merret si i pandehur për lobimin me para ruse në SHBA.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re