Kreu i PD-së Lulzim Basha është i pari që e ka respektuar vendimin e qeverisë për ta bërë të detyrueshme maskën në çdo ambient. Ai është shfaqur në konferencën e sotme me gazetarët me maskë, në ndryshim nga ditët e tjera, kur nuk e mbante një të tillë.

Duket se në heshtje, Basha ka zgjedhur që të pranojë vendimin e marrë nga qeveria, duke dhënë dhe shembullin e tij për qytetarët që e mbështesin dhe e përkrahin.

Në ndryshim nga Basha, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi është shprehur e qartë se ajo nuk do ta mbajë maskën në rrugë, dhe ka deklaruar se do të përballet me çdo punonjës Policie që do ti kërkojë llogari, apo do të vendosë gjobë.

“Personalisht nuk kam për ta mbajtur maskën. Ju bëj thirrje të gjithë shqiptarëve. Maska mbahet aty ku është e domosdoshme për ta mbajtur.

Po hyre 100 veta në lokal hyr pa maskë, po dole në rrugë me maskë. Ky zotëria që thotë se duhet mbajtur maska 24 orë, e ka bërë llogarinë sa u kushton kjo shqiptarëve? Sa është efekti te xhepat e shqiptarëve? Apo ka ndërmend të bëjë ndonjë koncesion për maskat? Unë për vete nuk do e mbaj maskën.

Nuk besoj se Rama ka merak shëndetin e shqiptarëve. Se po ta kishte do të anullonte koncesionet në shëndetësi. Sa shqiptarë kanë bërë check-up? Por deri tani kanë kaluar 30 milionë euro te koncesionarët.

Kur specialisti del dhe thotë mos e mbani maskën në rrugë, del ky që nxori anijet luftarake dhe tanket në rrugë për të vrarë virusin… Këto janë qesharake që acarojnë publikun por nganjëherë revolta vjen nga kjo që, këta injorantë, që u kemi dhënë pushtetin, nuk duhet mbajtur maska por duhet të dalë në rrugë. Do tu bëj thirrje që e ndalon çdo polic, qoftë i Veliajt, qoftë i Ramës, ti kundërpërgjigjen. Se edhe policët nuk kanë para për maska. A kishin maska policët që morën pjesë në shembjen e teatrit”, tha Kryemadhi dy ditë më parë.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re