Subscribe

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se kjo nuk është koha që kryeministri Edi Rama të sulmojë opozitën. Në përgjigje të qëndrimit të mbajtur nga Rama për propozimin me tetë pika të opozitës për krizën, Basha u shpreh se është momenti të mendohet për qytetarët.

 

“Është jo njerëzore që të sillesh rreth e rrotull propozimeve tona apo të sulmosh opozitën në këtë periudhë. Propozimet tona janë realiste dhe të zbatueshme nëse ka MIRËMENAXHIM, KOMPETENCË dhe TRANSPARENCË. Sot Shqipëria ka nevojë të përballojë emergjencën shëndetësore që ka krijuar kriza e koronavirus. 120 milionë euro që shkojnë dëm me koncesionet, duhet të angazhohen në dy fusha kyçe: mbështetje sociale dhe fonde shtesë për shëndetësinë. Ndërkohë, të tjera PPP të padobishme dhe inefiçente duhet të anullohen dhe paratë t’i shkojnë për mbështetje fiskale dhe financiare biznesit që sot ka mbyllur dyert.”

 

Ai garantoi qytetarët se PD do të jetë gjithmonë gati për t’i ndihmuar dhe informuar.

 

“Jeta nuk ka çmim, ndaj unë sot nuk dua të përfshihem në batuta bajate që nuk të çojnë asgjëkundi dhe nuk ofrojnë asnjë zgjidhje. Ne si opozitë do të vazhdojmë të mirëinformojmë njerëzit, të kërkojmë e të bëjmë transparencë sa të mundemi dhe të ofrojmë zgjidhje dhe alternativa për tejkalimin e kësaj gjendje. Me batuta nuk qeveriset vendi, nuk ushqehen njerëz, nuk shpëtohen biznese dhe nuk rimëkëmbet ekonomia.”

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re