Lulzim Basha kërkon dhe propozon një pakt të ri politik, duke tërhequr përbetimin e tij se nuk do të bëjë kurrë marrëveshje me Edi Ramën.

Në librin e tij “Misioni im’, Basha propozon një pakt politik, kur legjislacioni elektoral të miratohet me konsensus, miratimin e një ligji të ri për paritë politike si dhe miratimin e një statusi me të drejta për opozitën.

Basha e shpreh propozimin në librin e tij, në pozitat e kryeministrit, duke e konsideruar si të mirëqenë fitoren e zgjedhjeve dhe vlerësuar PS-në në pozicionin e opozitës.

Basha propozon gjithashtu që opozita të drejtojë më shumë komisione parlamentare në Kuvend si dhe t’i garantohet informacioni mbi veprimtarinë e qeverisë.

Basha shkruan: Unë propozoj dhe besoj në një rrugë krejt tjetër, krejt të re. Jo vetëm nuk do të krijoj asnjë rrethanë rënduese për rregullat demokratike për kundërshtarin tim, por do t’i krijoj kryetarit të ardhshëm të opozitës mundësi krejt të tjera. 

Në radhë të parë, unë do të propozoj kthimin në shtratin demokratik të traditës 25-vjeçare të demokracisë shqiptare, ku ligji zgjedhor dhe kuadri i garës elektorale të miratohet në mënyrë të përbashkët dhe konsensuale. Ky është një kusht minimal, pa të cilën demokracia nuk mund të ecë përpara dhe as të konsolidohet.

Ky është zotimi im në qeverinë e re. Asnjë ligj, asnjë nen kushtetues apo asnjë rregull i përbashkët për garën demokratike dhe bashkëjetesën normale politike, nuk do të aprovohet pa konsensusin dhe miratimin e opozitës,

Unë propozoj një ligj të ri për partitë politike, në mënyrë që funksionimi i tyre të rregullohet mbështetur jo thjesht në situatën e brendshme, por në norma ligjore si një detyrim publik në shtetin e së drejtës. 

Partitë politike kanë misione kushtetuese, ato përcaktojnë politikat kombëtare, ato përfaqësojnë qytetarët apo marrin pjesë në formimin e pushteteve të tjera. Në këtë kuptim, ato janë pasuri publike kombëtare. Dhe si të tilla, ato duhet të funksionojnë dhe të organizohen në mënyrë demokratike, ashtu sikurse e përcakton Kushtetuta.

Ne duhet t’i kthejmë partitë politike nga institucione private në institucione publike, ku të sanksionohen qartësisht dhe me fort të drejtat dhe mirëfunksionimi i opozitës parlamentare dhe opozitës në përgjithësi, me të drejta më të garantuara dhe shumë më demokratike.

Unë propozoj sanksionimin e zyrës së kandidatit të opozitës për kryeministër, me të gjitha të drejtat, aksesin në informacion që ajo duhet të ketë për të përgatitur dhe garantuar një garë të drejtë dhe konkurruese, në dobi të interesit publik dhe të demokracisë shqiptare dhe konsolidimit të rregullave të demokracisë.

Unë propozoj një status të ri të opozitës, ku të sanksionohen qartësisht të drejtat dhe mirëfunksionimi i opozitës parlamentare. Në një demokraci, opozita është më e rëndësishme se sa qeveria e radhës. Qeveritë shqiptare kanë pasur gjithmonë një opozitë, por rrallëherë në historinë tonë këto opozita kanë qenë funksionale.

Unë do të kërkoj dhe do të ofroj konsensus për rregullat e lojës dhe garantoj se nuk do të ndryshoj asnjë rregull, asnjë formulë për garën elektorale në mënyrë të njëanshme, duke fuqizuar fort kontrollin parlamentar të opozitës mbi veprimtarinë e qeverisjes, nëpërmjet dhënies së drejtimit të më shumë komisioneve parlamentare.

 Mbi të gjitha, si iniciatori i ligjit dhe betejës për dekriminalizimin, garantoj se nuk do të ketë më njerëz me rekorde kriminale në parlament, nuk do të ketë më deputetë kriminelë që rrahin dhe dhunojnë fizikisht deputetët e opozitës në tempullin e demokracisë shqiptare”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re