Në kundërpërgjigje të kërkesës së liderit demokrat Lulzim Basha për testimin e të gjithë mësuesve para nisjes së sezonit shkollor, epidemiologia Jonida Haxhiu tha se kjo nuk do të ishte zgjidhje e problemit. Në një lidhje me “Skype” për edicionin e lajmeve në “Vizion Plus”, Haxhiu deklaroi se testimi i mësuesve nuk na siguron se ata nuk do të infektohen disa ditë më vonë.

 

“Është vlerësuar që një masë e tillë mbase nuk do të sihte zgjidhja e problemit sepse është përmendur shpeshherë që një testim unk parashikon që në ditët në vazhdim ky person do të mund të infektohet apo jo. Mund të testojmë të gjithë mësuesit dhe një javë më pas ata infektohen.”

 

Sa i takon debatit për mbajtjen e maskës për fëmijët, Haxhiu deklaroi se për më të vegjlit është e këshillueshme, duke marrë parashysh edhe vështirësinë.

 

“Ky është një protokoll i krijuar në përputhje me udhëzimet e OBSH, është përshtatur me sistemet arsimore, me moshën e fëmijëve. Patjetër që është parashikuar që mund të jetë e vështirë mbajtja e maskës dhe prandaj deri në moshën 12 vjeç, mbajtja e maskës është e këshillueshme. Ne jemi në një situatë jo normale, në një situatë pandemie, ku shëndeti ynë është i rrezikuar dhe është detyrë e të gjithëve për të bërë diçka për të parandaluar. Për fëmijët sigurisht që është më e vështirë, por është detyrë e të gjithëve që edhe fëmijët të ndërgjegjësohen. Këto janë masa parandaluese. Ne jemi koshientë për vështirësitë, për situatën problematike në zona të caktruara, por ne kemi patur angazhimin dhe përpjekjen për të zbatuar këtë protokoll në shkolla. Mbetet për tu parë në vazhdim.”

 

Jonida Haxhiu kërkoi që të gjithë të angazhohen dhe të ndërgjegjësohen për zbatimin e masave antiCOVID, me qëllim parandalimin e përhapjes së virusit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re