Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, akuzohet shpesh se po ndjek hapat e ish-kryeministrit, Sali Berisha dhe nuk po sjell risi në parti.

Analisti Frrok Çupi i ftuar në emisionin, “Top Talk” komenton fushatën elektorale të Partisë Demokratike, që drejtohet nga Lulzim Basha.

“Opozita, për fat të keq ka mbetur me të njëjta pamje, me të njëjtat slogane, të njëjtat mënyra. Ashtu siç themi ne kur shikojmë televizor, që ka ngrirë figura. Jemi akoma në vitet 1991, 1992”.

Sipas tij, shkak i kësaj, është dhe ish-kryetari i PD-së, Sali Berisha. “Në arsyet pse ka mbetur këtu, kjo është një nga arsyet kryesore, se Partia Demokratike që udhëheq opozitën nuk ka vetëm një kryetar, ka një kryetar plus një kryetar.

Ky kryetari i ri, edhe sikur të kishte fantazi, edhe sikur të kishte risi, prapë se prapë, është peng dhe viktimë e kryetarit të vjetër. Ndërsa Berisha, nuk di gjë tjetër përveçse dy gishtave dhe të bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa”.

Çupi thotë se opozita nuk po paraqet një plan konkret, si do të jetë qeveria, nëse vjen në pushtet. “Opozita luan rolin e të humburit.

Është një e humbur që nuk shkon dot deri te pika fundore e fushatës, që të paraqesë qeverinë e re dhe të thotë këta janë njerëzit që do të përfaqësojnë politikën.

Basha luan rolin, sikur e ka dërguar dikush të bëjë një punë dhe në mbrëmje nuk është shumë e rëndësishme se sa punë ka bërë”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re