Kryedemokrati Basha deklaroi sot se cilido që shkel rregullat e statutin e partisë do përjashtohet cilido qoftë.

Ai e bëri deklaratën gjatë një interviste për Zërin e Amerikës duke thënë se pavarësisht se PD-ja është shtëpia e njerëzve të lirë, ata që shkelmojnë rregullat e sakrificat e demokratëve nuk e kanë vendin aty.

“Ne jemi një shtëpi njerëzish të lirë, ku respektohet mendimi ndryshe por me një mision të përcaktuar qartë. Kur dikush brenda shtëpisë, e konsideron veten mbi të tjerët, i bie me shkelm rregullave, i bie me shkelm sakrificës së demokratëve për interesat e veta, padiskutim që rregullat e shtëpisë, në këtë rast statuti, do të zbatohen.

Nuk mund të thotë as Sali Berisha, as dikush tjetër, që janë mbi rregullat, që janë mbi çdo anëtar tjetër të Partisë Demokratike. Ndaj 18 dhjetori është ditë e bashkimit, mdaj 18 dhjetori është ditë e rikonfirmimit të Partisë Demokratike si një parti tashmë e gatshme për t’u përballur në mënyrë moderne me sfidat që ka përpara.” – tha Basha.

Më tej ai tha se një pjesë e njerëzve që përfituan nga qeveria e PD-së e që e njollosën atë, janë rreshtuar me Berishën në foltoret e tij.

“Që nga mosreflektimi për 96-ën, që më pas solli pasojat e 97-ës dhe daljen e Partisë Demokratike në opozitë. Që nga sjellja iliberale ndaj opozitës në periudhën 92-97. Që nga qëndrimi ndaj korrupsionit në radhët tona të një grushti njerëzish, një pakice absolute që njollosi punën e mijëra demokratëve gjatë qeverisjes 2005-2013, ku ne shënuam arritje të mëdha për shqiptarët, për të cilat jemi e duhet të jemi krenarë, por nga ana tjetër po kështu pati një grusht njerëzish të cilët përfituan në kurriz të sakrificës së demokratëve dhe që sot i shohim si rregull të ulur në radhën e parë të takimeve të Sali Berishës me lugë në brez, gati për të shkelmuar përsëri sakrificën e demokratëve apo për të luajtur me emocionet e demokratëve. Kjo nuk ka për të ndodhur më.” – vijoi deklaratën Basha.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re