Kreu i PD-së Lulzim Basha, e quajti lajm të gëzuar shërimin e profesor Dhimitër Krajës, i infektuar me COVID-19, ndërkohë që e ripërsëriti edhe njëherë që qeveria duhet që të shtojë numrin e testimeve në vend.

“Mendimet dhe lutjet tona shkojnë për të gjithë personelin mjekësor që po përballet sot me COVID-19. Për të gjithë ata mjekë, laborantë, infermierë, sanitarë e shoferë ambulancash që rrezikojnë çdo ditë jetët e tyre në shërbim të qytetarëve. Në këto ditë të vështira ata meritojnë angazhimin serioz të qeverisë për të siguruar të gjitha mjetet e nevojshme mbrojtëse për ekipet mjekësore.

Transparenca është garanci dhe siguri si për stafet mjekësore ashtu dhe për të gjithë qytetarët. Testimi është mënyra më e suksesshme që po aplikohet sot për të identifikuar të prekurit nga COVID-19 dhe për të shkëputur zinxhirin e transmetimit.

Prandaj sa nuk është vonë qeveria duhet të zbatojë korrektësisht kërkesën standarde të OBSH: rritjen e numrit të testimeve.”, shkroi ai në Facebook.

Sipas Bashës, çdo shmangie nga kërkesat e përsëritura nga OBSH është papërgjegjshmëri e rëndë që jo vetëm fsheh të vërtetën por kushton shtrenjtë: “Sa më pak testime, aq më pak persona të identifikuar, aq më gjatë shumë zgjatet zinxhiri i infeksionit, aq më gjatë vazhdon karantina dhe thellohet kriza ekonomike.”. tha kreu i PD-së duke shtuar “Duhet vepruar sot, çdo ditë e humbur na kushton jetë dhe shëndet!”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re