Skip to content

Basha me biznesin e huaj: Taksa e sheshtë 9% dhe heqja  e taksës së naftës prioriteti ynë

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka zhvilluarit një takim me drejtuesit e shoqatës së Investitorëve të Huaj në Shqipëri, Constantin Von Alvensleben, President i FIAA, Grant Sun, anëtar Bordi i FIAA, Përparim Kalo, Anëtar Bordi i FIAA, Emil Georgakiev, Anëtar Bordi i FIAA, Marinela Jazoj, Drejtore Ekzekutive e FIAA.

Situata e rëndë ekonomike e shkaktuar nga efektet e koronavirusit ka qenë pjesë e diskutimeve në këtë takim me kryedemokratin me përfaqësuesit e biznesit të huaj.

“Diskutuam mbi shqetësimet e investitorëve të huaj në Shqipëri. Konkurenca e pandershme, korrupsioni, burokracia dhe informaliteti i lartë janë në krye të listës së shqetësimeve të tyre. I sigurova përfaqësuesit e Shoqatës së Investitorëve të Huaj se në qeverisjen e ardhshme thithja e investimeve të huaja do të jetë prioritet strategjik, krahas mbështetjes së biznesit e prodhimit vendas. Reformat që ne do të ndërmarrim do të çmontojnë konkurrencën e pandershme, do të eliminojnë burokracitë e tepërta dhe do të luftojnë korrupsionin. Do t’i japim fund ndryshimit të papritur dhe të pakonsultuar të rregullave, duke kthyer sigurinë juridike. Politika transparente dhe afatgjatë për taksat dhe hapja e lojës duke çmontuar monopolet dhe trajtimet preferenciale do të garantojnë konkurrencë të ndershme në vend të klientelizmit korruptiv të qeverisë”, shprehet kryedemokrati.

Në postimin në rrjetet sociale, Basha në lidhje me këtë takim shprehet se “taksa e sheshtë 9%, heqja e taksës “Rama” mbi karburantin, eleminimi i lejeve, licencave dhe autorizimeve që pengojnë konkurrencën e lirë dhe të drejtë do të jenë hapa të menjëhershëm. Shqipeeria do të shohë përpara dhe prioriteti im absolut është të luftoj për të mbrojtur dhe hapur çdo vend pune të mundshëm. “Shqipëria në punë” nuk është thjesht një moto, por një platformë reale.  Me planin tonë ekonomik do të sprapsim krizën “Rama” dhe do mund të hapim vende të reja pune, të fuqizojmë ekonominë dhe të rrisim mirëqenien e shqiptarëve”.

/shqip