Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me e përfaqësinë më të lartë nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë për të diskutuar mbi krizën e krijuar si rezultat i pandemisë Covid-19.

Vetë kryedemokrati bën të ditur se i ka paraqitur përfaqësuesve të biznesit alternativat  e PD-së  për rimëkëmbjen e ekonomisë shqiptare.

“Ata shprehen shqetësimin e tyre se Paketa 1 dhe 2  të ndërmarra nga qeveria kanë qenë joefektive dhe me një ndikim të papërfillshëm tek biznesi. Masa e financimit është shumë e ulët ndërsa pengesat burokratike i kanë bërë ato të pazbatueshme. Si rrjedhojë,  sot në kohë emergjence financimi i ekonomisë është inekzistent, ndërsa sektorë si biznesi prodhues, turizmi, bujqësia dhe transporti mbeten ende pa asnjë mbështetje. Menaxhimi i pandemisë dhe krizës ekonomike është dështimi më i madh i Ramës. Fatkeqësisht, këto dështime po i kushtojnë shumë shtrenjt shqiptarëve dhe ekonomisë së tyre që sot po varfërohen edhe më shumë”, shprehet Basha.

Partia Demokratike, sipas tij,  propozoi masa konkrete mbështetëse për biznesin vendas dhe për të punësuarit e tij, por Rama zgjodhi ti harxhojë lekët e buxhetit të shtetit për një grusht oligarkësh dhe jo për njerëzit.

“Ai është sot e keqja më e madhe për vendin. Unë dhe opozita e kemi një plan konkret për rimëkëmbja ekonomike të vendit dhe rritjen e punësimit të shqiptarëve: ky është prioriteti absolut i programit tonë ku përveç ndihmës financiare për të kapërcyer krizën ne do të ofrojmë edhe instrumentet dhe financimin e duhur për ekonominë prodhuese, uljen e taksave, luftën ndaj monopoleve dhe klientelizmit, si dhe mbështetjen dhe financimin e projekteve madhore ekonomike që do krijojnë punësim dhe mirëqenie për shqiptarët”, thekson kryedemokrati.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re