“Ne kemi një plan të detajuar për ta nxjerrë bujqësinë nga kriza e për ta shndërruar në një sektor fitimprurës për fermerët dhe vendin”, deklaroi sot kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili ka zhvilluar sot një takim me fermerët në Berat.

“Në Berat takova dhjetra fermerë që më treguan për shqetësimet e tyre dhe vështirësitë me të cilat përballen çdo ditë”, u shpreh Basha.

“Janë familje që me punën në bujqësi nxjerrin të ardhura për të mbajtur familjet e tyre. Pandemia e ka thelluar krizën dhe karantina iu shkaktoi një dëm të madh duke i detyruar të hedhin prodhimet e tyre që nuk kishin mundësi t’i nxirrnin në treg. Qeveria i braktisi në ditë të vështira ndërsa për 7 vite me radhë ua shtoi faturat dhe hallet duke ua bërë të pamundur mbijetesën”, theksoi Basha.

“Fermerët kudo në Shqipëri ndiejnë sot më shumë se kurrë harresën e qeverisë dhe moskujdesin ndaj agrobiznesit Asnjë subvencion për produktet e tyre, ndërkohë që çmimet janë rritur e nafta është më e shtrenjta në rajon”, tha Basha.

“Ne”, nënvizoi Basha, “kemi një plan të detajuar për ta nxjerrë bujqësinë nga kriza e për ta shndërruar në një sektor fitimprurës për fermerët dhe vendin”.

“Do ta nisim me mbështetje direkte për çdo fermer në bazë të prodhimit, me uljen e çmimit të naftës, lehtësimin e aksesit në treg, heqjen e monopoleve që vdesin konkurrencën dhe mbështetje të prodhimit vendas”, tha Basha.

“Bashkë do t’i japim shqiptarëve një qeveri normale që garanton shanse të barabarta për ta dhe normalitet e punësim”, u shpreh kreu i PD, Lulzim Basha.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re