Një ditë pas protestës anti-qeveri e anti-Xhafaj, kreu demokrat Basha ka përcjellë një mesazh duke këmbëngulur për dorëheqjen e ministrit të Rendit.

“Qëndrimi ynë është i pandryshuar dhe i pakompromis: Fatmir Xhafaj duhet të largohet dhe do të largohet. Për sa kohë -ai është ministër, nuk do të ketë hetim dhe drejtësi të vërtetë për të dhe për të vëllanë dhe nuk do të ketë luftë të vërtetë kundër krimit dhe drogës”, shprehet Basha në një mesazh të fundit në FB.

Ndër të tjera, ai shprehet dhe kundër promovimit të dhunës si formë reaguese ndaj qeverisë, ku në këtë rast e ka me të tijtë. Kjo pasi u përballë me kritika për mosmbështetje, apo braktisje, të atyre që vendosën të kacafyten me policinë te Ministria e Rendit.

“Atyre që bëjnë thirrje për dhunë dua t’u përgjigjem direkt: Partia Demokratike lindi dhe është forcë europiane. Ajo është parti e njerëve që besojnë tek liria, demokracia dhe vlerat europiane. Fuqia e saj janë njerëzit dhe vullneti i lirë i tyre dhe jo dhuna.

Edi Ramën dhe Fatmir Xhafajn i rrëzon e vërteta dhe jo dhuna. Dhuna nuk është zgjidhja, e vërteta është zgjidhja”, shprehet Basha.

Protesta e së shtunës e opozitës, është konsideruar si më e dobëta gjatë këtyre viteve, prej kur PD ra nga pushteti.

Ajo u thirr pas një audiopërgjimi të publikuar nga selia blu, ku aludohej – pasi nuk kuptohej qartë – se ishte zëri i vëllait të ministrit Xhafaj, që fliste për drogë. Por ndërkohë, Agron Xhafaj ka bërë kallzim në prokurori për material të sajuar, ndërsa vëllai i tij ministër, Fatmir Xhafaj ka dhënë garanci me postin e tij se audiopërgjimi është tërësisht sajesë.   

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re