Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha pranon se prezenca e Sali Berishës në PD shkaktoi dualizëm në drejtimin e partisë.
Në fjalimin e tij në Kuvendin e 18 Dhjetorit, Basha theksoi se ishte gabimi i tij që lejoi dualizmin.
“Mendësitë komuniste janë një mall toksik, ato nuk mund ta shoqërojnë nga një dekadë në tjetrën drejtimin politik të partive dhe të vendit, nuk mund t’i shartohen kaq gjatë demokracisë. Sepse kjo është mënyra për ta vrarë demokracinë.
Ndaj, edhe gabimi im më i madh është mbajtja, apo lejimi i dualizmit në drejtimin e PD-së. Dualizmit në perceptim dhe dualizmit real, kur ish-kryetari e bëri funksion de facto dublimin e kryetarit, e bëri rutinë hijezimin e kryetarit me protagonizmin e tij.
Faktet janë me qindra dhe mijëra. Kushdo i ka parë. Kjo histori nuk ndaloi tetë vjet me radhë. Është përgjegjësia ime që nuk kam mundur ta zgjidh në kohën e duhur këtë nyje gordiane. Berisha nga ana tjetër, ka qenë i njoftuar se protagonizmi i tij është një barrë për rritjen dhe fitoren e Partisë Demokratike.
Megjithatë, unë u kërkoj sot ndjesë demokratëve, me bindjen se ata kanë një ide të qartë për hezitimin tim, që ka qenë edhe hezitimi i shumë prej tyre”, deklaroi kreu demokrat.
