20 mars /ATSH – I. Vata/  Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ndodhet ditën e sotme në qytetin e Beratit. Basha u shpreh se ndryshimin e kërkojnë nga jugu deri në veri dhe ndryshimi do të vijë nga të gjithë shqiptarët.

Ai gjithashtu bëri një ecje tek Ura e Velabishtit, e cila, sipas njoftimit nga PD, është një nga urat që u projektua nga Partia Demokratike, duke u shprehur se me ardhjen në pushtet të Partisë Demokratike, do ta rimarrë projektin dhe do ta çojë deri në fund.

“Ju falënderoj nga zemra për këtë pritje të jashtëzakonshme, prekëse dhe emocionuese në Beratin e civilizimit, në Beratin e kulturës dhe të krenarisë tonë. Jam shumë i prekur dhe i emocionuar nga kjo pritje këtu në Beratin e lashtësisë, në Beratin e kulturës. 8 vjet më parë Shqipërisë i ndodhi një aksident kur u zgjodh Edi Rama kryeministër, por kjo nuk do të jetë e ardhmja jonë. Shqipëria kërkon ndryshim! Në rrugëtimin tim, nga jugu në veri po takoj shqiptarë të cilët duan ndryshim dhe ne së bashku jemi shpresa dhe jemi forca që do e bëjmë këtë ndryshim të mundur”, tha Basha.

Basha tha se është e padiskutueshme që boshti që fillon nga Hani i Hotit e deri në Përmet dhe kjo urë me përmasat siç është projektuar nga  ne do të jenë prioritet i investimeve të infrastrukturës nga qeverisja e ardhshme.

“Do t’i japim fund shpërdorimit të parave me tendera korruptive dhe me fasada që i prish shiu i parë. Dhe kjo është një pjesë jetike e një aksi të fuqishëm ekonomik dhe tregtar dhe turistik. Hani i Hotit-Përmet do të jetë një nga projektet më të rëndësishme të infrastrukturës padiskutim që do të përfundojmë edhe ato projekte që i kishim nisur që në 8 vite me radhë i lanë në vendnumëro”, tha Basha.

“Se çfarë kanë bërë s’ka nevojë të ma thuash mjafton të shikosh Unazën e Tiranës që 8 vite e lanë në vendnumëro dhe kosto ekonomike, shkatërrimi i ambientit, i mjedisit, i cilësisë së ajrit i kushton qytetarëve të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë ditë për ditë vetëm e vetëm sepse për 8 vite me radhë lekët e shqiptarëve i morën dhe i degdisën në xhepat e një grushti njerëzish”, u shpreh kryetari i PD-së.

“Por po ju them edhe njëherë dje isha në Gjirokastër dhe u mahnita tani kjo surpriza e Beratit më emocionon. Më latë pa fjalë. Kudo që shkoj e prek shpresën dhe dëshirën e shqiptarëve për ndryshim. Të gjithë bashkë do ta bëjmë  këtë ndryshim të mundur duke dalë masivisht në votime dhe në këtë mënyrë do të fitojë i gjithë Berati, e gjithë Shqipëria. Nuk do të diskriminohet askush.  Fitorja jonë do të jetë fitore e të gjithë shqiptarëve”, tha Basha. /j.p/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re