Teksa mori fjalën në Kuvend, Lulzim Basha tha se duhet të votohet rezoluta kundër raportit të Dick Marty-t, por nga ana tjetër të dënohet edhe gjenocidi serb në Kosovë.

 

‘Sot është një ditë e rëndësishme për këtë institucion, i cili duhet të dëshmojë edhe njëherë se Shqipëria nuk mund të ketë interes më të shenjtë, interes më të lartë se interesat e Kosovës, se nuk mund të ketë bashkëpunim të qendrueshëm rajonal, një të ardhme në paqe të popujve tanë, pa pranuar dhe dënuar genocidin serb.

Ndër vite ka patur përpjekje të vazhdueshme për të manipuluar faktet, për t’i ikur të vërtetave siç ka ndodhur edhe në raportin e Dick Martit. Një raport “fake”, sepse sot është e qartë se pas tij fshihen strukturat serbe.

Nuk është aspak rastësi që pasi krijuan një tollovi të madhe ne opinionin ndërkombëtar, në përpjekje për të ndryshuar historinë, hapi më i fundit – siç e ka pohuar vetë protagonist – ishte planifikimi për eleminimin fizik të ish-raportuesit të Këshillit të Europës, Dick Marty nga struktura serbe të sigurisë për të fshehur gjurmët, e për të fajësuar sërisht shqiptarët.

Por e vërteta nuk zhbëhet dot, ajo është shkruar në historinë e dhimbshme të kombit tonë me gjakun e viktimave të pafajshme të rëna prej genocidit serb në Kosovë, e po ashtu prej gjakut të të rënëve në mbrojtje të shqiptarëve nga shfarosja.

 

Ish-Kryetari i Pd shtoi se Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte një luftë e drejtë përballë agresionit, genocidit, spastrimit etnik, krimeve kundër njerëzimit e spastrimit etnik që regjimi kriminal i Millosheviçit po kryente ndaj popullsisë së pambrojtur në Kosovë.

 

 

Askush nuk mund të barazojë viktimën me agresorin. Askush nuk mund të barazojë luftën e drejtë të UÇK-së për dinjitet njerëzor dhe liri, me masakrat dhe genocidin e ushtruar nga hordhitë kriminale të Millosheviçit ndaj popullsisë civile të Kosovës.Lufta e UÇK-së pati në krah të saj NATO-n me në krye SHBA, sepse ishte një luftë e drejtë. Shqiptarët patën në krah dhe mbrojtje të tyre të gjitha vendet demokratike, sepse ndaj tyre po kryhej genocid, spastrim etnik dhe krimet më çnjerëzore. Prandaj ky parlament, burrat dhe gratë me integritet nuk mund të kenë asnjë ngurrim për të folur qartë dhe fort dhe për të votuar, makineria ushtarake serbe e urdhëruar nga Sllobodan Milloshevic ka kryer genocid e spastrim etnik ne Kosovë. 1600 persona janë ende pa varr edhe sot që flasim.Dënimi i genocidit serb në Kosovë, nuk ka për qëllim për të mbetur pengje të së shkuarës së dhimbshme, por për t’i hapur rrugën të ardhmes, që nuk mund të jetë e paqtë, as e begatë për rajonin pa u shëruar plagët e një lufte që shqiptarët nuk kanë nisur, por kanë pësuar. Çdo qëndrim tjetër ndaj Serbisë, sado të fshihet pas sokëllimave, gjuhës së shthurur dhe banaliteti dhe gënjeshtrave, është një amnisti e fshehtë ndaj një të shkuare që rrezikon të përsëritet nëse nuk pranohet dhe dënohet si e gabuar. Na takon ne të jemi sot zëri i viktimave të atij genocidi, të jemi edhe zëri i Kosovës. Në këtë mënyrë ne i japim edhe më shumë zë në arenën ndërkombëtare të vërtetës së hidhur të genocidit dhe spastrimit etnik të kryer në Kosovë.- tha Basha.

 

Marrja e fjales nga Basha ne seancen parlamentare eshte shoqeruar me te qeshura dhe ironi nga Kryeministri Edi Rama.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re