Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka vizituar sot qytetin e Shijakut, ku ka parë nga afër banesat e dëmtuara nga tërmeti i fundit.

Basha në një reagim në Facebook, shkruan se shumë banorë nga frika flenë në makina, pasi banesat e tyre janë të dëmtuara dhe autoritetet nuk kanë shkuar për t’ i parë. Numri një i opozitës shton më tej se këta qytetarë kanë nevojë për ndihma dhe shteti duhet të kthejë sytë nga ta.

“Sapo pashë nga afër situatën në Shijak ku qindra banesa janë të pabanueshme sidomos në zonën e “Luginës”. Shumë qytetarë flenë nëpër makina, dhe një pjesë tek të afërmit. Banorët kërkojnë vëmendje më të madhe. Ata më thanë se përveç ditës së parë, nuk ka patur asnjë kontakt më nga autoritetet. Nuk kanë asnjë ide çfarë do të bëhet me ta.

Sot është nata e katërt që nuk futen dot në banesa. Kanë nevojë për ndihma materiale, ushqime, dyshekë dhe batanije. Banorët ankohen se ndihma e ofruar deri më tani është e pamjaftueshme. Përveç zonave të goditura rëndë si Durrësi dhe Thumana, duhet menjëherë tu vihet në ndihmë edhe zonave të tjera ku njerëzit janë në vështirësi të mëdha dhe ndihen të braktisur”, shkruan Basha.

50 persona të vdekur, 900 të plagosur dhe 47 të shpëtuar, ky është bilanci i tërmetit. Kërkimet në Thumanë u mbyllën paraditen e djeshme, ndërsa në zonat e tjera u mbyllën pasdite. Trupi i fundit u nxorr pak pas mesnate në zonën e njohur si “2 Gjelat”. Toka vijon të dridhet ndërsa viktimat po përcillen një e nga një për në banesën e fundit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re