21 prill /ATSH – I. Vata/ Berati ishte ndalesa e radhës e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Në fjalën e tij para beratasve,Basha tha se Edi Rama e ka humbur kontrollin sepse e di që ka humbur dhe vazhdon t’ju jap njerëzve gënjeshtra dhe premtime në 3D. Kreu i opozitës gjithashtu tha se vota masive për numrin 9 do të sjell ndryshimin, që fëmijët shqiptarë kanë nevojë.

“8 vjet nuk bëri dot premtimin që do ta bënte vitin e parë, rrugën Berat-Fier. 8 vjet premtime të pa mbajtura, çmimin e naftës, jo vetëm nuk e uli por e bëri Shqipërinë vendin e tretë në botë për çmimin e karburantit. Faturat e energjisë jo vetëm nuk i uli siç premtoi por i rriti duke çuar mijëra sipërmarrje, qindra e mijëra nëna dhe baballarë drejtë papunësisë e qindra e mijëra të tjerë familjarë, drejtë dëshpërimit. Kush nuk i mban mend premtimet e pa mbajtura të Edi Ramës, dështimet këtyre 8 viteve?! Kush më mirë se Berati nuk e ka ndjerë harresën, nëpërkëmbjen e këtij grupi të babëzitur. Dhe ja ku e kemi prapë, 8 vite pushtet, 8 vite premtime, 8 vite me projekte 3D si ishulli i Osumit dhe ka guximit të vijë para këtij qytetërimi, para këtyre qytetarëve, para kësaj rinie e të kërkojë edhe 4 vjet të tjera. E shikoni si sillet nëpër Shqipëri, me projekte 3D nën sqetull, me një thes tjetër me rena me të cilat mendon se do të mashtrojë përsëri shqiptarët. 4 ditë na ndajnë nga fitorja më e thellë që do i prijë ndryshimit të vërtetë për Beratin, për beratasit dhe për gjithë Shqipërinë. Sepse ky qytet dhe kjo trevë i ka të gjitha”, tha Basha.

Po ashtu Basha tha se “ku janë premtimet për Beratin turistik, ku janë premtimet për subvencionet, për ullirin e famshëm të  Beratit, për vreshtarinë, për fermerët?

“8 vjet rriti taksat, rriti çmimet, rriti koston e jetesës, mbylli shkollat, mbylli universitetet, e zbrazi Beratin dhe Shqipërinë nga të rinjtë. Por edhe 4 ditë dhe përgjigjën do ta marrë në kutit e votimit nga mbarë populli i Beratit, nga shqiptarët e bashkuar si kurrë me parë, demokratë e socialistë bashkë për ndryshim duke votuar për numrin 9. Së bashku do t’i prijmë krah për krah rrugës së ndryshimit, rrugës së integrimit në Bashkimin Europian”, u shpreh Basha.

Basha theksoi se “hapat tonë të parë do të jenë heqja e lakut nga fyti i dhjetëra, mijëra familje, të gjithë atyre të cilët i mbajnë varur me premtimet për legalizim ndërsa bëhen gati tua prishin shtëpinë pas zgjedhjeve, që të pësojnë të njëjtën fat si banorët e Astirit”.

“Ky është Edi Rama, kjo është qeverisja e pashpirt  e 8 viteve. Qeverisja që i merr mijëra familje të Beratit 28 mijë lekë në muaj nga qindarkat e fundit për të ashtuquajtur marrëveshjen e OSHEE-së dhe pastaj e blen një biftek 1 mijë dollar te Nusret-i. Kësaj do ti japim fund. Amnisti për gjobat e një shteti, gjobaxhi të nginjur deri në palcë me paratë e djersën e beratasve dhe shqiptarëve punëtorë e të ndershëm. Një ditë e re do të lindë. Bashkë për ndryshim. Votoni numrin 9.  Për fëmijët tanë, për të ardhmen e tyre votoni numrin 9. Për nënat tona, për gjyshet tona që të mos vajtojnë më mbi vatrat e shuara nga mungesa e rinisë në emigracion. Votoni numrin 9. Ju me të cilët bashkë do ta hapim derën e Shqipërisë drejt Europës”, përfundoi Basha. /a.a/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re