Nga Floriar Arapi

Votimet për kryetarin e PD përfunduan duke rizgjedhur Bashën si kryetar të PD-së, për një mandat  të tretë. Sikurse edhe pritej, proçesi ishte formalitet dhe asgjë nuk ishte surprizë. Njësoj ishte rezultati i thellë 80 %, përafërsisht i njëjtë me rezultatet ndaj Olldashit dhe Selamit, njësoj ishte edhe proçesi i kontestuar me lista të paqarta, njerëz që nuk gjejnë emrin në lista, presione dhe përzënie nga proçesi i votimit të vëzhguesve të kandidatëve kundërshtarë, njësoj ishte edhe mentaliteti i militantëve, i cili u rishfaq menjëherë sapo u shfaqën kandidatët garues, ndaj të cilëve filluan sulmet, sharjet, ofendimet dhe akuzat për tradhëti ndaj PD.

Basha fitoi dhe u duk i gëzuar sepse po rend nga fitorja në fitore brenda PD, por a u gëzua populli shqiptar me fitoren e Bashës ? A janë të gëzuar demokratët, pjesa tjetër asnjanëse e popullit që priste ndryshim, apo edhe socialistët (e zhgënjyer nga qeverisja e Ramës), me fitoren e Bashës? Shqiptarët prisnin të gëzoheshin me ikjen e Ramës si një nga qeveritë më të korruptuara të historisë së shtetit shqiptar, por kjo nuk ndodhi. Por pse nuk ndodhi kjo dhe pse humbi opozita? Shkaqet dhe arsyet për rezultatin e një beteje politike siç janë zgjedhjet, janë të shumta, por disa prej tyre janë të qarta dhe vendimtare.

Një nga shkaqet kryesore të humbjes së opozitës është: zhgënjimi nga Basha. Basha ka humbur besimin e shqiptarëve, po të pyesësh edhe qytetarët e thjeshtë në rrugë, të gjithë të kthejnë të njëjtën përgjigje, përveç ndonjë militanti të verbër demokrat, të gjithç të thonë: “Basha nuk është për atë punë.” Basha në mënyrë sistematike ka tradhëtuar kauzat e popullit dhe shpesh ka luajtur rolin e zjarrëfikëses kur populli ka qenë i revoltuar. Ai ka ndërhyrë për të marrë në dorë frenat e revoltës dhe pastaj revolta është shuar. Nuk e dimë nëse kjo është bërë me dashje apo nga paftësia menaxheriale e tij. Për sa kohë ishte kryetar bashkie i Tiranës, Basha nuk solli asnjë ndryshim, përveç korrupsionit galopant në inpektoriatin e ndërtimit etj.

Shkaku i dytë:

Marrëveshja e 17 Majit 2017. Sistemi zgjedhor. Pas një nate të gjatë kokë më kokë me Ramën në 17 Maj, Basha kreu një marreveshje të çuditshme, të cilën nuk ta kap mendja, si mundet dikush të arrij të bëj një marrëveshje të tillë kaq të dëmshme ndaj vetes së tij, forcës politike që ai përfaqson. Thelbi i kësaj marrëveshje ishte rrënimi i partive të vogla, por ç’do të thotë kjo për PD dhe PS? Në 30 vitet e demokracisë aleatë të vegjël kanë pasur edhe PD edhe PS, mirëpo në këto 30 vite, (përveç vitit 1992) PS ka qenë gjithmonë më përpara me vota krahasuar me PD dhe sa herë Pd-ja ka fituar zgjedhjet, qoftë për pushtetin qendror apo lokal, kjo fitore ka ardhur për shkak të partive të vogla aleate të PD, të cilat kur mblidheshin bashkë krijonin një përqindje goxha të konsiderueshme dhe kështu arrinin të thyenin PS, me aleatët e saj të dobët. Në këto zgjedhje u duk qartë se nëse do të ishte sistemi i vjetër zgjedhor, opozita do të fitonte. LSI qartësisht humbi 4 mandate të cilat ishte shumë pranë që ti merrte dhe PD gjithashtu mund të përfitonte mandate nga 110 mijë votat e LSI, të cilat për LSI prodhuan vetëm 4 mandate.

Partitë e tjera aleate të PD, pa siglën e tyre në listë, është e vështirë të kenë mbledhur potecialin të votave e tyre sadoqoftë, pasi një pjesë e njerëzve që votojnë për këto parti, votojnë për to edhe sepse nuk duan të votojnë për partitë kryesore në vend. Pra është e qartë që sistemi zgjedhor është faktori kryesor për humbjen e opozitës, por a nuk është Basha përgjegjës për të? Basha këtë sistem zgjedhor fillimisht e zgjodhi me marrëveshje në 17 Maj 2017, pastaj me ikjen e tij nga parlamenti, i hapi rrugën Ramës që këtë sistem zgjedhor Rama ta vendosi edhe me ligj, të shoqëruar me ndryshimin e kushtetutës. Mbase tingëllon absurde për t’u thënë, por duke parë rezultatin përfundimtar, duket se veprimet e Bashës kanë qenë plotësisht në favor të Ramës.

Për mendimin tim duhet theksuar se marrëveshja e 17 Majit, do të ketë pasoja afatgjata. Si pasojë e kësaj marrëveshje PS deri tani ka fituar dy mandate qeverisëse por rrezikon të fitojë akoma mandate të tjera, ose edhe nëse humbet do të humbë me një rezultat të ngushtë që do t’ia bëj të pamundur PD të qeverisë. Pasojë tjetër e kësaj marrëveshjeje është ulja e nivelit të demokracisë në vend dhe koncentrimi i pushtetit në dy partitë kryesore, duke e vështirësuar shumë futjen e partive të reja në politikën vendimmarrëse. Kjo duke patur parasysh kapjen e shtetit nga partitë kryesore, që përveç pushteteve, kontrollojnë edhe pushtetin mediatik nëpërmjet oligarkëve shërbëtorë të tyre, si edhe shoqërinë civile. Kjo gjë do të ndikojë te vrasja e mëtejshme e shpresës për shqiptarët të cilët, zgjidhjen e vetme për këtë, kanë gjetur emigracionin.

Si shkak tjetër të rëndësishëm për humbjen e opozitës do rendis, strukturën organizative të PS. Megjithëse gjerësisht populli kishte krijuar një frymë kundër PS në pushtet, kjo nuk arriti ta çonte opozitën në fitore, pasi përballë kishin një parti të strukturuar mirë. Për socialistët vota është e shenjtë dhe ata maksimalizuan që çdo votë e tyre të shkoj në kuti dhe të jetë e vlefshme. Ndërkohë që në krahun e PD, gjithmonë struktura e PD ka qenë shumë më e dobët dhe më pak punëtore. Këto zgjedhje mund të quhen edhe zgjedhjet e fituara eskluzivisht nga aftësitë e strukturës partiake. PD në momentin që e kuptoi që nuk e konkuronte dot strukturën e PS, përpara zgjedhjeve, u përpoq ta intimidojë atë me një propagandë të ashpër kundër patronazhistëve. Në fakt pak a shumë të njëjtën gjë bën çdo strukture partie, vetëm se PD nuk i quan “patronazhistë” por “përgjegjës”. PD përvec mosorganizimit për nxjerrjen e votuesve, çaluan edhe tek trajnimi për të votuar saktësisht dhe si rezultat kishim një numër shumë të madh të votave të pavlefshme. Duke u nisur edhe nga eksperienca personale jam i sigurtë që këto vota në masë dërrmuese kanë qenë vota të PD. Një fakt që flet për votat e pavlefshme të PD, është edhe fitorja e Bashës në vitin 2011, e cila erdhi vetëm mbas rikonsiderimit të votave të pavlefshme.

Përgjegjësia.

Shkaqet e mësipërme zor se i kundërshton kush objektivisht dhe tek të gjitha ato ka përgjegjës. Në rastin e parë Basha është përgjegjës i vetëm, ai nuk krijon besim tek njerzit sepse i tillë është dhe ky është karakteri i tij, kurse në rastin e marrëveshjes për sistemin zgjedhor dhe katandisjen e PD si parti e dobët organizative, përgjegjësia kryesore bie kryesisht mbi drejtuesin defakto ose ndryshe “pronarin” e PD, mbi Berishën. Marrëveshja e 17 Majit dhe dalja nga parlamenti, nuk janë bërë në asnjë mënyrë pa miratimin e Berishës kurse mungesa e strukturës partiake të aftë, ka të bëjë me cilësinë e njerzve që promovohen në PD. Në PD meritokracia është në nivel shumë të ulët, pasi rruga bazë për t’u ngjitur në karrierë është servilosja ndaj kryetarit apo ish kryetarit. Krasitja e personalitetëve të PD është proçes eskluziv i Berishës të cilin e ka filluar që në vitin 1991, por që Basha po e ndjek me përpikmëri, për aq sa pushtet ka brenda PD-së. Në një parti që ka shumë pak personalitete dhe kuadro të përgatitur, është normale që struktura organizative e saj të jetë e dobët.

Por a e njohu Basha apo Berisha përgjegjësinë për humbjen?

Gjatë numrimit si gjithmonë fillon avazi i “kutive tona” që pritet të hapen, pasi u hapën edhe “kutitë tona” pastaj ndër të parët ishte Berisha që doli dhe hodhi alibinë e vjedhjes së votave, si mjeshtër që është për këto punë. Më pas atë e ndoqi edhe Basha me termin masakër zgjedhore. Mirëpo nuk paraqiten asnjë provë të mirëfilltë që të vërtetonin që votat ishin vjedhur. Për mendimin tim sistemi jonë zgjedhor megjithëse është i ngadaltë, por është maksimumi që mund të behet në sigurinë e votës dhe vota nëse hidhet në kuti, vështirë se tjetërsohet.

Por a ka pasur blerje të votave ?

Blerja e votës ka egzistuar gjithmonë, ajo ka filluar para një mijë vjetësh dhe është një proçes shumë i vështirë për t’u kontrolluar apo ndaluar. Bile edhe për t’u përkufizuar, sepse blerja e votës nuk ndodh vetëm me para, por bëhet edhe me ndere, me vende pune, me këmbëngulje, me legalizime, me shërbime të kryera në administratë etj, por nga ana tjetër të gjitha këto në një mënyrë apo në një tjeter quhen fushatë elektorale. Për sa i përket blerjes me para në dorë, kam mendimin se asnjë nga tre partitë kryesore nuk është e papërlyer, mirëpo në këtë fushë ka disa ekspertë që nuk konkurohen dot, sic janë disa elementë të PS apo të PSD, të cilët nuk është aspak surprizë sesi dalin deputetë duke pa pasur asnjë lloj protagonizmi politik apo thyejnë listën, duke dalë deputet nga fundi i listës dhe duke mos qenë as njeri publik. Në lidhje me këtë fenomen zgjidhja më e mirë, do të ishte të merreshin masa të rrepta ndaj shitësve të votës, siç mund të jetë heqja e të drejtës së votës, për një kohë të caktuar, sepse ka disa njerëz që nuk kanë asnjë lloj njohurie apo afeksioni politik dhe votën e kanë vetëm ankand. Evidentimi i këtyre personave nuk është e vështirë për t’u gjetur nga autoritetet, nëse ka vullnet. Blerja e votës ka qenë edhe kur PD ka fituar, edhe kur ka humbur zgjedhjet, edhe kur PD ka qenë në opozitë, por edhe kur ka qenë në pushtet, siç ishte viti 2013, kur megjithë shumat marramendëse të hedhura nga PD për të fituar zgjedhjet, ato nuk i vlejtën për asgjë sepse populli e kishte dhënë verdiktin e tij. Unë mendoj se numri i tregtarëve të votave është midis 5 dhe 10 %, nuk është numër i vogël dhe këta janë njerëz që nuk mungojnë kurrë në votime sepse zakonisht janë të varfër dhe kanë nevojë për këto para. Ata kryesisht janë të paintegruar (shpesh janë nga një komunitet i caktuar). Votat e tyre jane një thes, i cili zakonisht shpërndahet dhe aty marrin të gjithë partitë kryesore, për këtë arsye nuk mendoj si aspak si arsye kryesore të humbjes së opozitës dhe nuk është arsye për Bashën për të justifikuar humbjen dhe të qëndrojë në krye të PD.

Alibitë e dyshes Basha-Berisha janë të dobëta dhe qesharake. Si të fitojnë, si të humbasin, ata kurrë nuk e lëshojnë PD. Për Berishën dhe vetëm për të, prona është e shenjtë, dhe ai PD e ka ndërtuar me duart e tij. Basha e pati shprehur qartësisht këtë para zgjedhjeve kur Blendi Fevziu e pyeti 10 ose 20 herë të njëjtën pyetje, “ a do të japësh dorëheqjen nese nuk fiton zgjedhjet” dhe ai nuk iu përgjigj kurrë pyetjes, por vetëm shprehej se do të fitoj. Ata presin derisa populli të lodhet dikur me Ramën dhe mbase u vjen radha për të marrë pushtetin, ose presin që të kaloj kohë e gjatë dhe njerzit të harrojnë paaftësinë dhe gjumin e Bashës në krye të bashkisë. Duke parë fitoren me dylbi, nuk është çudi që mund te presin edhe që Rama t’u hedhë ndonjë kocke nga pushteti, siç ua hodhi për 4-5 muaj në 2017.

A ka shpresë që demokratët të ngrihen dhe të përzënë Bashën dhe Berishën?

Për mendimin tim kurrë dhe këtu mbaron misioni i PD. Fatkeqësisht, ne përgjithësisht kemi treguar që nuk përballemi, me padrejtësitë e drejtuesve dhe pushtetarëve, por bëhemi palë me ta dhe rrjedhimisht jemi bërë tokë pjellore për diktatorë dhe skllevër. Ata që tashmë kandiduan për të marrë drejtimin e PD kanë dy rrugë, ose të nënshtrohen plotësisht ose të bëjnë parti tjetër dhe të heqin dorë nga PD, sepse nëse vazhdojnë të qëndrojnë brenda PD dhe përpiqen të marrin partinë dhe fillojnë të kenë sukses, pastaj nuk i dihet se cfarë mund t’i gjej. Në këtë rast në mbeshtetje të mbrojtjes së pronës private (partise) vijnë edhe pronarët e tjerë, që kanë nga 20 apo 30 vjet që kujdesen për pronat e tyre si Rama, Meta, Mediu, Idrizi, Milo, Ndoka, Dule, Alimadhi, etj.

Përfundimisht mund të thuhet se PD vuan një pushtim nga një dyshe me mentalitet diktatorial dhe komunist, Berisha-Basha dhe nuk ështe aspak partia që do të sjellë shpresë për shqiptarët, sidomos për të djathtët shqiptarë, të persekutuar nga komunizmi dhe të tradhëtuar dhe injoruar nga PD, më në krye një ish sekretar partie komunist.

Dhe sa herë do ti japin mundësi të djathtët shqiptarë Partisë Demokratike, me shpresën se PD do të bëhet e djathtë parimisht dhe do të mbroj interesat e djathta dhe të djathtëve? 30 vjet kaluan, jeta nuk është 300 vjet.

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re