Ish kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha shprehet se lidershipi i vërtetë tregohet duke vënë interesat e partisë përpara atyre vetjakë, ndërsa shprehet se e kundërta ndodh kur lideri është i rremë.

 

Me këtë përshkrim, Basha shoqëron foton e shkrepura gjatë një takimi me demokratë të degës nr. 4 në Tiranë, ndërsa shton se kjo forcë politike kaloi një betejë të vështirë. Shkak për këtë sfidë, sipas tij u bë lufta për interesa personal, ndërsa pasojat e kësaj lufte u konfirmuan edhe më 14 maj, thekson ish lideri i PD.

 

“Është gjithmonë kënaqësi të bashkëbisedosh me miqtë dhe kontributorët e Partisë Demokratike të Degës 4 në Tiranë. Dëgjova me vëmendje çdo fjalë të tyre dhe ndava me ta vizionin tim për hapat e mëtejshëm që ne duhet të ndjekim për ta kthyer Partinë Demokratike në shpresën e shqiptarëve.

 

Kemi kaluar një kohë të vështirë. Brenda familjes sonë nisi një luftë për interesa personale që dëmtoi interesat e demokratëve dhe shqiptarëve. Kur gjërat shkojnë keq, sprova e një lidershipi të vërtetë është nëse sakrifikon të tjerët apo veten. Një lidership i rremë është ai që sakrifikon të tjerët për interesat e veta.

 

Unë vendosa të tërhiqem me qëllim që lufta të mos vijonte dhe t’i jepja shans një paqëtimi në rradhët tona, në të kundërt përfituesi i vetëm do të ishte kundërshtari ynë. Ajo që shpresova nuk ndodhi! Gjërat shkuan më keq. 14 maji është prova për këtë”, tha Basha.

 

Nga ana tjetër, ai shton se PD nuk mundet të fitojë pa mbështetjen e aleatëve, ndaj thekson se hallet personale nuk duhet të jenë më pengesë për demokratët.

 

“Partia Demokratike nuk mundet kurrë të fitojë pa një aleancë me SHBA, Britaninë e Madhe dhe Bashkimin Europian. Tani ka ardhur koha t’i hapim sytë të gjithë, sepse hallet personale nuk mund të kthehen në pengesë për demokratët dhe shqiptarët që duan ndryshimin”, shton ai.

 

Lulzim Basha iu rikthyer jetës aktive në politikë pas zgjedhjeve vendore të 14 majit, ku PD humbi thellë përballë kundërshtarit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re