Kreu i PD-së, Lulzim Basha, ka dhënë detaje pas takimit me shefin e Misionit te FMN-se, Jan Kees Martijn.

Në një deklaratë për mediat, Basha tha se fokusi i bisedës ishte kriza ekonomike ku ndodhet vendi, ndërsa akuzoi përgjegjës për situatën e krijuar kryeministrin Rama.

Ndërsa u ndal në buxhetin për vitin 2020, Basha e konsideroi vjedhje të hapur, ndërsa theksoi se miliona dollarë do të kalojën në duart e 13 oligarkëve.

“Kemi ndarë shqetësimin e thellë për krizën ekonomike, që ka zhytur vendin kjo qeveri. Një ndër problemet kryesore është çështja e qindra milion dollarëve që në vend që të shkojnë për të ndihmuar shtresat në nevojë, përfundojnë në duart e 13 oligarkëve që kanë 13 koncesione apo PPP, që në fakt janë skema vjedhje. Në qoftë se buxheti që kanë planifikuar do të kalojë, përbën një vjedhje një makutëri të babëzitur, vjedhje të hapur të 146 milion dollarë, që planifikohen t’i jepen 13 njerëzve nesër për PPP e koncesione që quhen, se nuk janë në fakt. Kjo do të çojë në thellim të krizës dhe rritje të borxhit publik. Rruga për daljen nga kjo krizë është e qartë.

Opozita ka një plan të qartë për daljen nga kjo krizë. Ne do ja dalim të ndalim këto koncesione korruptive të kthejmë paratë e disponuara për oligarkët te qytetarët dhe do të arrimë të kthejmë kushtet e përgjithshme ligjore të barazisë para ligjit, konkurrencës së lirë. Një plan që do të mundësoje që biznesi nesër ta ketë qeverinë në krah duke e ndihmuar dhe jo si sot që e ka kërcënimin kryesor. Ankthi i tyre kryesorë është çfarë proçke do të na bëjë sot qeveria. Kjo situatë nuk mund të vazhdojë më. Me planin tonë dhe ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë do t’i japim fund kësaj. Bashkëbisedimi me misionin e FM e konsideroj të frytshëm. E rëndësishme është të kuptohet që përtej konstatimeve të FMN-së, ka ardhur koha për një reagim gjithë popullorë për ta ndalur këtë. Duhet të nxjerrim nga vendet e punës që i kanë okupuar pa të drejtë kryeministrin dhe ministrat e tij. Hap veshët e dëgjoji mirë se mesazhi është i qartë, largimi i kësaj qeverie dhe zgjedhjet e lira e të ndershme, është ilaçi për këtë krizë”, tha Basha.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re