Mësohet se në mbledhjen e përbashkët mes kryesisë së PD dhe grupit parlamentar të PD, Lulzim Basha, propozoi marrjen e 3 vendimeve të rëndësishme, të cilat u miratuan nga Kryesia.

Ai kërkon që PD të regjistrohet për në zgjedhjet e ardhshme lokale, por me kushtin që të jetë krijuar terreni për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kusht, që sipas tij, aktualisht nuk është i plotësuar.

Më tej Basha kërkon që PD të mos lejojë mbajtjen e zgjedhjeve fasadë, si edhe kërkon që të mandatohet ai dhe Sekretari i Përgjithshëm për të negociuar me partitë politike të opozitës marrëveshjen për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Pasdite e kësaj të enjte Basha ka programuar edhe një takim me Këshillin Kombëtar të PD, ku do të diskutojë pikërisht këto tre propozime.

KRYESIA E PARTISË DEMOKRATIKE VENDOSI T’I PROPOZOJË KËSHILLIT KOMBËTAR QË:

1. Partia Demokratike e Shqipërisë të regjistrohet në zgjedhje vetëm pasi të jenë krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kriza e rëndë politike në vend, nuk mundëson standardet demokratike për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Është provuar se Qeveria e Edi Ramës ka bashkëpunuar me krimin e organizuar për blerjen e votave.

2. Partia Demokratike e Shqipërisë angazhohet në mbrojtje të demokracisë dhe të drejtës së votës së lirë të mos lejojë përveç zgjedhjeve të lira asnjë farsë elektorale; të pamundësojë përmes përshkallëzimit të aksionit opozitar dhe qytetar, mbajtjen e zgjedhjeve fasadë, të diktuara nga krimi i organizuar dhe paratë e pista që shkatërrojnë demokracinë dhe vullnetin e qytetarëve shqiptarë.

3. Të mandatojë Kryetarin e Partisë dhe Sekretarin e Përgjithshëm për të negociuar me partitë politike të opozitës marrëveshjen për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, për mbrojtjen e interesit publik dhe aksionin opozitar për plotësimin e këtyre objektivave, përfshirë, mandatin dhe detyrat e Qeverisë Tranzitore dhe platformën për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re