Edi Rama pritet që të shkarkojë kryebashkiaken në detyrë të Durrësit, për shkak të aferës së inceneratorëve.

Ky ka qenë paralajmërimi i bërë pak minuta më parë nga kreu i PD-së Lulzim Basha, pasi sipas tij Emiriana Sako nuk pranon të hedhë firmën për dërgimin e plehrave të Durrësit në inceneratorin e Tiranës.

Basha tha se në vendin e Sakos në krye të Bashkisë së Durrësit, Rama ka menduar që të çojë Milva Ekonomin, që më herët ka mbajtur edhe poste zëvendësministrje në qeveri.

“Për inceneratorët po bëhet gati që të shkarkojë për herë të pestë apo të gjashtë kryebashkiaken e Durrësit, që as emrin nuk ia dimë, se aq shpejt i ndërrojnë zonat atje.

Nuk pranon ajo që të firmosë kontratën miliona euro, që plehrat e Durrësit të sillen në Tiranë. Plani është që Milva Ekononomi të japë dorëheqjen nga deputete, dhe të shkojë të bëhet kryebashkiake në Durrës, që të firmosë për aferën e inceneratorëve”, u shpreh Basha.

Partia Demokratike ka denoncuar vazhdimisht aferën që lidhet me inceneratorët, që marrin miliona euro nga buxheti i shtetit, dhe në fakt nuk bëjnë punë dhe investimet për të cilat paguhen.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re