Partia Demokratike prezantoi sot programin për pronat ku të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e shoqatave të ndryshmeve të ish-pronarëve.
Kreu i shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, Myrshit Vorpsi është ndaluar gjatë fjalës së tij në çështjen e legalizimeve, ku sipas tij, uzurpuesit e pronave bëhen pronarë.
“Pika e fundit fare që ndoshta duhet të them është edhe ndjeshmëria në raport me ligjin e legalizimeve.
Dua ta shmang pjesën politike të trajtimit të këtij problem sepse është e kotë që ta diskutojmë, por them që në pikëpamje ekonomike, ai ligj është i dështuar, është i dështuar, sepse është e pamundur që shteti shqiptare, të trajtojë me çmime preferenciale, personat që kanë përftuar tokat, në kuadër të ligjit të legalizimeve, dhe nga ana tjetër të marri përsipër, me ligj si detyrim, që të dëmshpërblejë pronarët shqiptarë me faturën e plotë.
Fatura financiare që do të prodhojë ligji i legalizimeve me këtë skemë që kemi, do të jetë e tillë që do të groposi financat e shtetit shqiptarë. Është emergjente, ndoshta mendojë unë dhe e domosdoshme që ju si forcë politike ta rishikoni këtë pjesë”, tha Vorpsi.
Kryedemokrati Lulzim Basha gjatë prezantimit të programit të PD-së premtoi mbylljen e procesit të legalizimeve.
“Ne angazhohemi që në përfundimin e procesit të legalizimit të filluar prej vitesh duke i garantuar pronarëve kompensimin e plotë dhe të drejtë të pronës, të bëjmë të mundur plotësimin e një prej objektivave të këtij ligji.
Fondi i kompensimit të legalizimit do të jetë më vete, në zbatim të ligjit të pronës. Sot shqiptarët zotërojnë prona që nuk janë të sigurta”, theksoi Basha.
Ligji i Legalizimeve u miratua fillimisht në vitin 2004, gjatë qeverisjes së PS-së dhe më pas gjatë qeverisjes së PD-së, në vitin 2006, iu hap rrugë legalizimit masive, dhe zgjeruar skemën e përfituesve.
Ende e kësaj dite vijon procesi i legalizimit, pasi qeveria socialiste ka shtuar afatet për ato ndërtime pa leje që futen në skemën e legalizimit dhe në bregdet apo në fshatrat turistike.
