Kryetari i PD, Lulzim Basha është gjobitur nga policia dhe i është hequr patenta dy herë brenda harkut të 24 orëve.

Në të dyja rastet, argumentet e policisë janë të njëjta, kryedemokrati ka shkelur rregullat e vendosura për distancimin social, oraret e vendosura, si dhe është shfaqur në grumbullime me më shumë se 5 persona.

Lideri i PD, u penalizua dje nga policia e Durrësit pasi zhvilloi një takim elektoral me operatorë turistike. Në pamjet e publikuara nga vetë PD, kryedemokrati shihej në tavolinë ngjitur me disa biznesmenë, duke konsumuar kafe dhe verë të kuqe.

Pas takimit që zhvilloi në Durrës, Basha u rikthye në Tiranë dhe pasdite, përtej orarit zyrtar të vendosur nga autoritetet, Basha iu bashkua aktorëve dhe qytetarëve që ruajnë Teatrin Kombëtar dhe protesojnë kundër shembjes së tij.

Një ditë më pas, policia e Tiranë njoftoi së ka gjobitur kreun e Partisë Demokratike për grumbullimin mbrëmjen e djeshme. Së bashku me liderin e PD-së janë gjobitur edhe eksponentë të tjerë të PD-së, mes tyre sekretari i përgjithshëm Gazment Bardhi dhe grupin e aktorëve.

Sipas policisë ata janë gjobitur me argumentin se pas orës 17:30 nuk lejohet dalja dhe aq më tepër grumbullimi për shkak të masave anti-COVID.

Basha nuk bindet, grumbullime masive në Sukth

Por pavarësisht masave administrative të policisë, kryedemokrati ka vijuar normalisht turin e takimeve, në disa raste duke injoruar edhe distancimin fizik.

PD njoftoi sot për një takim të Bashës më qytetarët në Sukth, ku ishin të pranishëm edhe të moshuar, gra dhe fëmijë, edhe pse dy nga këto kategori nuk lejohet të dalin nga shtëpitë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re