Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha kërkon nga qeveria që në këto ditë të vështira të mendojë edhe për familjet e varfra. Përmes një postimi në “Facebook”, Basha bëri thirrje që në shtëpitë e tyre të dërgohen ushqime dhe detergjentë që të kenë mundësi të përballojnë jetën në karantinë.

 

“Në këtë situatë, qeveria duhe të marrë masa urgjente të ndihmojë me ushqime dhe detergjentë familjet e varfra dhe ato në nevojë ekonomike. Çdo ditë që kalon e bën të vështirë dhe të pamundur që një pjesë e konsiderueshme e bashkëqytetarëve të përballojnë mbijetesën. Të gjitha vendet e prekura nga COVID 19 veç masave për parandalimin e përhapjes së virusit, kanë ndërmarrë hapa konkretë për të ndihmuar financiarisht qytetarët e izoluar në shtëpitë e tyre dhe bizneset që preken nga kjo situatë. Është koha që dhe qeveria shqiptare të veprojë për të ndihmuar familjet në nevojë.”

 

Nga ana tjetër, kryedemokrati tha se duhet të blihen menjëherë tamponët e testit për COVID-19, me qëllim që gjithsecili që ka probleme të kryejë analizën. Sipas Bashës, është e udhës që të krijohen ambiente të posaçme për pacientët me koronavirus edhe në qytete të tjera dhe jo vetëm në Tiranë.

 

“Shumë qytetarë kanë shprehur shqetësim mbi mungesën e tamponeve të testit për COVID 19. Është urgjente dhe e rëndësishme blerja e menjëhershme e një sasie të mjaftueshme tamponësh me të cilët kryhen testet që saktësojnë nëse je apo jo bartës i COVID 19. Sa më shpejt të identifikohen të prekurit, aq më shpejt mundësohet izolimi dhe trajtimi i tyre duke minimizuar përhapjen e mëtejshme të virusit. Çdo vonesë në sigurimin e një numri më të madh tamponësh testimi do të na kushtojë shumë. Veç kësaj duhen krijuar ambjente të posaçme trajtimi për personat e prekur me COVID 19 edhe në qytete të tjera të vendit ku numri i të prekurve sa vjen e rritet. Të prekurit nga virusi nuk kanë pse të përplasen të gjithë në Tiranë kur mund tu krijohet mundësia të trajtohen në ambjente të ngritura në qendrat e qarqeve.”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re