Kreu i Partisë Demokratike,  Lulzim Basha ka zhvilluar ditën e sotme takim me demokratët në qytetin e Elbasanit.

Basha u shpreh në Elbasan si në asnjë vend tjetër, pati përplasje të botës së errët dhe botës së qytetëruar.

Ndërsa falënderoi drejtuesit e Partisë Demokratike, kryedemokrati tha se kjo forcë politike do të rrëzojë regjimin  Rama-Doshi dhe do t’ua u kthejmë Shqipërinë shqiptarëve.

“Elbasani, një qytet që është njohur për dekada dhe për shekuj, për shkollën, për festën e verës, për qytetarinë e tij, por që fatkeqësisht tashmë gjatë këtyre javëve mbeti në kronikat e lajmeve për vrasjet mafioze. Akoma pa u tharë një njollë gjaku, ndodh një tjetër ngjarje kriminale dhe kryefamiljarët e Elbasanit nxitojnë të bëjnë apelin e familjarëve të tyre me trishtimin dhe frikën në zemër se mos ndonjëri prej tyre është bërë pre, ka rënë pre, ka rënë viktimë e ndonjë plumbi qorr. Sepse Elbasani tashmë nuk njihet si qyteti i Normales, nuk njihet si qyteti i Festës së Verës, por njihet ashtu siç janë detyruar ta pranojnë edhe vet krerët më të lartë të institucioneve të ligjzbatimit në vend, si kryeqyteti i krimit. Kjo është e vërteta. 

Ndaj, sot nga Elbasani kam një mesazh. Për të gjithë ata që nuk besojnë ose nuk duan të besojnë se 25 prilli ishte dita e zgjedhjeve të vjedhura nga regjimi Rama-Doshi, masakra elektorale më e madhe dhe vjedhja më e madhe e votave në 30 vite histori pluralizëm, ejani në Elbasan, dhe shikoni se si kryepolici i vendit që në fakt është kryepolici i Edi Ramës, mori në mbrojtje bandat që u sulën për të terrorizuar, për të blerë dhe për të kërcënuar qytetarët e Elbasanit me pistoletat e tyre me tyta të kromuara, të cilat nuk nguruan t’ua vënë në kokë dhe drejtuesve lokal të policisë së Elbasanit.

Atyre që nuk e kuptojnë akoma apo bëjnë sikur nuk e kuptojnë përmasën reale të masakrës zgjedhore të 25 prillit, ju them ejani në Elbasan dhe shikoni se si prokurori u përpoq të fshihte provat e kapura në flagrancë të materialeve zgjedhore, të shitblerjes masive nga bandat kriminale që kanë vënë përfund policinë, institucionet dhe kontrollojnë tërësisht qytetin dhe qarkun e Elbasanit”, u shpreh Basha.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re