Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e nisi fjalën e tij sot në Kuvend me një pyetje, se ku ndodhet kryeministri. Ai hodhi dyshime se para dy ditësh ai ka udhëtuar me një charter privat, që vetëm karburanti i kushton 120 mijë euro.

“Dua ta nis me një pyetje retorike, si ka mundësi që në seancën e javës të ngarkuar me vendime të sjellë nga qeveria, me një javë të mbushur me skandale do të trondiste dhe rrëzonin qeverinë në vendet normale, këtu nuk ndodhet as 1/ 3 e  kabinetit.

Ku është kryeministri? E dimë që para dy ditësh shkoi dhe erdhi me charter privat, shkoi dhe erdhi dhe nuk njoftoi për çfarë i harxhoi atë 120 mijë euro karburant që kushton një fluturim me charterin privat.

Ky që e nisi qeverisjen duke premtuar se do të udhëtonte me bileta ekonomi, tani shkon në Paris, Mynih me një charter luksoz që vetëm karburant që i kushton 120 mijë euro minimumi dhe vetëm kur vjen puna për tu përballur nuk e dimë ku është.

Në vitin 2022 mungon transparenca. Në cilin vend të botës KM ka charter privat, shkon drejt qyteteve luksoze të Evropës, ndërkohë qe qeveria e tij pa asnjë mandat shemb çatitë e banorëve të kryeqytetit, sic ndodhi me banorët e 5 majit”, tha Basha.

Basha sulmoi nga foltorja e Kuvendit maxhorancën qeverisëse për përfshirjen e saj në afera korruptive.

Basha theksoi se qeveria e ka shitur Shqipërinë tek ofertuesi më i lartë dhe sipas tij treguesi më i qartë i kësaj është afera e inceneratorëve, për të cilin është ndaluar vetëm “bishti” dhe jo “koka” drejtuese.

Kryedemokrati theksoi gjithashtu se nuk do të rresht kurrë së kërkuari që ata të cilit bllokojnë komisionin hetimor të inceneratorëve dhe Bechettit të hetohen nga organet e drejtësisë dhe të shkojnë në bankën e të akuzuarve.

“Natyra e vërtetë e kësaj qeverisje shpaloset në aferën e inceneratorëve. U kemi kërkuar të ndaloni pagesat, ju nuk e bëni, ashtu sikurse nuk ndaloni pagesat për asnjë nga aferat korruptive. Për këtë arsye kemi numrin e azilkërkuesve më të lartë në rajon, fermerët janë me zero mbështetje, aq sa raportet thoinë se kemi një kthim të fermerëve te parmenda. Skema se ku kanë shkuar paratë nga afera e inceneratorëve, tregojnë se asgjë nuk ka shkuar te mirëqina e qytetarëve, të cilëve u ka ngel dopio gjashta e korrupsionit të Edi Ramës në dorë.

E keni shitur Shqipërinë tek ofertuesi më i lartë. Çmimin e kësaj e paguajnë qytetarët shqiptarë. Ndaj dua t’ju pyes ju që jeni në këtë sallë, kur do vi dita ta ngrini zërin, nëse, jo turpi është i juaji. Nuk do të rresht që nga kjo foltore të kërkoj, ata që kanë bllokuar komisionin e inceneratorëve, ata që kanë bllokuar komisionin e Bechettit, të maten as me konferencat për shtyp, as me hetimin e bishtit, por me hetimin e kokës së masakrës zgjedhore të 25 Prillit”, tha Basha.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re