Kryedemokrati Lulzim Basha, e ka paralajmëruar kreun e qeverisë Edi Ramën se për mosdhënien e mbështetjes financiare shqiptarëve në këtë moment krize, ai do të ngarkohet nesër jo vetëm me përgjegjësi politike, por edhe me përgjegjësi penale.

Basha tha në një konferencë shtypi para mediave sot:

“Paratë janë po paratë po vidhen! Kriza aktuale nuk përballet me llafe! As me teatro të dala mode! I kam propozuar një plan konkret. Ky nuk e bën, nuk i nxjerr fondet nga Buxheti, nuk anulon asnjë koncesion, as në kulmin e pandemisë.

A është kjo diçka e re! edhe në një situatë si ajo e tërmetit, nuk ndalon vjedhjen.
Shqiptarët janë akoma në çadra. Ishim bashkë para disa ditësh në Kurbin, në Durrës. Akoma në çadra, me shiun që u futet brenda, pa asnjë ndihmë ushqimore prej muajsh.
Në mes të pandemisë ky bën tendera sekret! Tendera sekret në mes të pandemisë. Kemi 6 muaj që kemi bërë kallëzimin penal dhe atje nuk lëviz asgjë, po kjo është çështje tjetër.
Kemi një Kryeministër edhe një qeveri që është e vendosur të injorojë nevojat akute të shqiptarëve dhe të vazhdojë vjedhjen.

Ky është një problem i madh që unë zotohem të bashkohem me shqiptarët për ta zgjidhur në 25 prill. Por nuk pret koha deri në 25 prill.

Nëse këto dy javë i jam drejtuar me civilitet, sot i them se moszbatimi i Planit me 5 pika, që është përgjigja e duhur në kushtet aktuale, moszbatimi i këtij Plani e ngarkon Ramën me ministrat e tij me përgjegjësi penale dhe çdo dëm në ekonomi e shëndetësi të vendit nesër nuk do të jetë thjesht një problem i madh për qytetarët, një përgjegjësi vetëm politike e këtyre që kemi akoma për 6 muaj, por e siguroj që do të ndiqet si përgjegjësi penale!”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re