Duke e kujtuar si lajm të keq hapjen e vatrave të reja të Covid-19 në vend ditën e sotme, Lulzim Basha i bëri thirrje qeverisë të mos çojë dëm pesë javë sakrificë të shqiptarëve duke refuzuar pa argumenta propozimet e opozitës për krizën që ka imponuar koronavirusi në vend.

Sipas Bashës, qeveria vonon duke refuzuar fillimisht dhe më pas vepron. Basha i kujton qeverisë se prioritet numër një ka shëndetin e qytetarëve dhe ruajtjen e vendeve të punës

“Nuk ka më kohë për refuzime kokëforta pa argumenta! Qeveria duhet të urdhërojë mbylljen e fasonerive në të gjithë vendin. Bashkë me to duhet të mbyllen të gjitha vendet me grumbullime të mëdha punonjësish.” – u shpreh Basha, i cili bëri edhe një parashikimin mbi situatën në vijim.

“Për asnjë arsye qeveria nuk duhet të cojë dëm sakrificën e shqiptarëve në këto 5 javë izolim, vetëm e vetëm sepse refuzon të rialokojë para nga koncesionet tek qytetarët.

Vazhdimi i përhapjes së virusit në keto momente, që sjell për pasojë zgjatjen e izolimit të qytetarëve dhe bllokimit të ekonomisë do të na kushtojë shumë më shumë se sa paga e këtyre punonjëseve sot.

Shëndeti i qytetarëve dhe ruajtja e vendeve të punës duhet të jenë prioriteti numër 1 i qeverisë!”- tha Basha, i cili theksoi rëndësinë e masave të mëtejshme që duhen marrë për situatën me koronavirus që po kalon vendi.

“Është e domosdoshme që autoritetet të mundësojnë pa vonesë testimin e të gjithë punonjësve në fasoneritë e prekura. Kjo jo vetëm ndalon përhapjen e virusit, por ju jep siguri punonjësve për shëndetin e tyre dhe të familjarëve.

Duke marrë këto masa, mbylljen e fasonerive, testimin, gjurmimin, mbështetjen financiare, mundësohet shmangia e rrezikut për infektimin e 70 mijë qytetarëve. Kjo ka një faturë financiare jo më shumë se 15 milionë euro. Ky fond mund të çlirohet direkt nga anullimi i tre koncesioneve për inceneratorët.” – u shpreh Basha.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re