Kryedemokrati Lulzim Basha ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit për prezantimin e paketës financiare për të mbështetur kategorinë e pensionistëve nga rritja e çmimeve.

Basha deklaron se Rama vazhdon të tallet me qytetarët dhe shton se qeveria po programon më shumë taksa.

Deklarata:

Edi Rama vazhdon të tallet me qytetarët me gjoja paketa shpëtimi. Është e njëjta skemë siç bëri në kohën e pandemisë, ku shumica dërmuese e shqiptarëve u zhyten në mjerim.

Qeveria ka parashikuar të shpërndajë lëmoshë tek grupe të kufizuara, që po mbijetojnë, kur në fakt rritja e çmimeve prek të gjitha shtresat dhe do të zhysë në varfëri qindra mijëra familje.

Zgjidhje ka.

Ia kemi propozuar kohë më parë ku i kërkuam të marrë masa. Sepse shqiptarët janë aq të varfër sa nuk i përballojnë dot kostot shtesë për të përmbushur nevojat bazë.

Mjafton të shohësh vendet fqinje për të kuptuar se ka zgjidhje që ndihmojnë të gjithë qytetarët.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka miratuar ligjin për uljen e akcizës për karburantet dhe Tatimit mbi Vlerën e Shtuar nga 18 në 10 për qind. Po kështu ka vendosur për uljen e TVSH-së për ushqime bazë nga 5 në 0 për qind.

Por ndërkohë që bën sikur po ndihmon qytetarët, në këtë kohë krize ; do rikthejë taksën për Biznesin e Vogël dhe një sërë taksash të tjera që do ta rëndojnë edhe më shumë gjendjen.

Me lëmoshë nuk zgjidhet kriza, ajo vetëm thellohet më shumë.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re