Kreu demokrat Basha pati një ndalesë në Devoll, ku si rrallë herë në ligjërimin e tij politik u shfaq dhe ofertues përveç akuzues. Në një takim me të rinjtë, ai ofroi një skemë të mundshme të frenit të ikjes së rinisë, sidomos drejt Gjermanisë.

“Deri në vitin 2030 Gjermania do të ketë nevojë për 4 milionë profesionistë. Një pjesë e mirë e tyre nuk ka nevojë të shkojnë në Gjermani për të qënë pjesë e tregut gjerman.

Kjo shifër që ju them nuk është diçka as e lexuar dhe as e hamendësuar. Është diçka e komunikuar zyrtarisht tek unë si kryetar i opozitës dhe alternativës nga zyrtarët më të lartë gjermanë bashkë me shtetësimin se pse nuk po përfitoni nga kjo. 4 milionë vende pune nga të cilat një pjesë e madhe mund të kryhen këtu.

Le të marrim inxhinjerët konstruktivë. Ata që bëjnë ndërtesa industriale apo ndërtesa civile. Ata mund të punojnë nga shtëpitë e tyre apo nga studio e tyre dhe s’kanë nevojë të jenë në kryeqytet, por kudo dhe të ofrojnë shërbimet e tyre konkuruese për projektet e Gjermanisë, Austrisë, Italisë etj”, tha Basha. Më tej, kreu demokrat ofroi disa metoda se si mund të arrihet kjo.

“E para, duhet t’u mundësojmë që gjithë atyre të rinjve që përfundojnë universitetin që të kenë mundësinë të kualifikohen për këtë profil të tregut me subvencionim nga shteti. Kur të mbarojnë universitetin të mos kenë mbetur në borxhe. Detyra e parë e jona është që me ligjin e ri për Arsimin e Lartë ntë përgjysmojmë tarifat aktuale dhe të arrijmë që çdo i ri dhe e re shqiptare të ndjekë studimet në universitete pavarësisht nga mundësia apo pamundësia ekonomike e familjes.

E dyta, të mundësojmë profilizimin e rinisë pikërisht në ato degë të ekonomisë për të cilat sot ka një kërkesë dhe një etje në tregun europian dhe më gjerë.

E treta, të mundësojmë bazën më të komplikuar që është nga bankat e shkollës dhe universiteteve në tregun e punës e cila kryhet në të gjithë Europën përmes stazheve të punës të paguara. Pra për çdo të ri dhe të re të sapodipomuar të ketë stazhe në fushën përkatëse të punës”, theksoi kreu i opozitës.  

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re