Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha thotë se brenda mandatit të parë qeverisës, Shqipëria do të nisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Brenda vitit të parë të qeverisjes do të kemi nisur negociatat e anëtarësimit në BE. Ju garantoj se në procesin e integrimit do të ecim me të njëjtën shpejtësi si Sllovenia dhe Kroacia”, theksoi Basha në “Opinion”.

Basha tha se Shqipëria ka mbetur në vendnumëro, ndërsa 8 vite me radhë nuk ka hedhur një hap drejt integrimit në Bashkimin Europian

“Për herë të fundit, Parlamenti Europian, para një jave dhe për herë të parafundit, Komisioni i Çështjeve me jashtë i Parlamentit Europian, i tha fare qartë: “Shqipëria nuk i ka përmbushur kushtet.” Përkundrazi, ka një shqetësim që është rikthyer fuqishëm pas shumë kohësh. Dje, lexova një ndërhyrje të një figure, të një kolegut tuaj por më shumë se kaq, të drejtuesit të “Zërit të Amerikës”, Elez Biberaj, i cili fare thjesht dhe qartë tha që Shqipëria po përballet me rrezikun e kthimit në një shtet monopartiak, thellësisht të korruptuar, me pushtet të përqendruar në duart e një partie të vetme, që jo vetëm nuk e lufton korrupsionin, po ku ka arritur korrupsioni në nivelin e kapjes totale të shtetit, ku kriminelët dhe një grusht biznesmenësh.

Transparency International tha dhe citoi 9 ligje të hartuara jo për interes të shqiptarëve por për interes të këtyre grupeve, grupeve të krimit të organizuar, grupeve të oligarkëve. Pra, kjo është arsyeja pse Shqipëria ka mbetur në vend numëro. Nuk është arsyeja që ka, fjala bie, Maqedonia e Veriut që papritur i ka dalë Bullgaria për një çështje e cila me siguri pas zgjedhjeve në Bullgari dhe shpresoj do të marrë zgjidhje. Shqipëria jo vetëm s’ka bërë hapa përpara por kushtet e Bashkimit Europian ndaj Shqipërisë janë shtuar. Arsyet dihen fare mirë, sepse ato që shqiptarët shikojnë me sytë e tyre ditë për ditë tavolinat që zbrazen, ekonomia në faliment, shëndetësia e arsimi në kolaps, papunësia që rritet, emigracioni 12 herë më i lartë se në Serbi janë pasojat e drejtpërdrejta të dështimit të kësaj qeverie, 8 vite me radhë nuk ka hedhur një hap drejt integrimit në Bashkimin Europian”- theksoi Basha.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re