Kreu i PD, Lulzim Basha ka shkuar për të parë nga afër rrugën e përmbytur të Obotit në Shkodër që ka izoluar prej ditësh banorët e fshatit në fjalë.

Basha thotë se ky është treguesi më i qartë i mungesës së menaxhimit pasi shteti duhet t’i vinte në kohë në ndihmë qytetarëve të Obotit që mos izoloheshin.

Ai i kërkon shtetit të lërë gjithçka tjetër dhe të ndihmojë banorët e Obotit dhe të Shkodrës që po vuajnë nga përmbytjet.

“Nuk është situatë e mirë që ndodhemi shpesh këtu. Banorët në dëshpërim total. Ju përgëzoj që keni qenë përkrah banorëve.

Do bëjmë ç’mundemi. Tani sapo mbërrita, pashë që po vinin 2 kamionë, nuk e di ndërruan turnin, apo vijnë për herë të parë.

E rëndësishme është të jenë këtu. Izolimi i Obotit është shenja e parë e përmbytjes.

Nga ana tjetër është treguesi i një mungesë totale e menaxhimit. Duhet të ishin marrë masat që familjet të mos izoloheshin.

E lehtë për të qenë i hidhëruar me këtë, prandaj jemi afër jush sot. Ju goditeni të parët, përgjegjësinë e ka shteti për t’iu ardhur në ndihmë, por dhe ne do ju ndihmojmë me ç’kemi në dorë.

Duhet të bëjmë gjithçka t’ju gjendemi pranë. Nga COVID-19 në përmbytje, mund të ishte menaxhuar më mirë.

Tani që situata po precipiton duhen marrë të gjitha masat. Ju i keni në krahë njerëzit tanë.

Me gjithçka kemi do jemi pranë jush. Duhet ta theksoj se detyra kryesore është e shtetit të lërë gjithçka tjetër, dhe t’i vijë në ndihmë qytetarëve.”– tha Basha.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re