Kryetari i PD-së Lulzim Basha, ditën e sotme ka zhvilluar një takim me një grup maturantësh në Berat dhe është shprehur se do të ketë 100% bursë për studentët, familjet e të cilëve kanë më pak të ardhura se 64 mijë lekë në muaj.

Basha shprehet se ishte “kënaqësi të bisedoja dhe ndaja mendime me maturantët e Beratit për provimet e Maturës dhe pengesat, ëndrrat e planet e tyre për të ardhmen. Maturantët më treguan vështirësitë me të cilat përballen, problematikat e mëdha që shoqëruan këtë vit, paqartësitë, pamundësia për të realizuar mësimin online, e deri tek niveli i lartë i vështirësisë së provimeve. Shumë prej gjimnazistëve janë të paqartë për të ardhmen e tyre, ndërsa vështirësitë ekonomike për të përballuar arsimimin sa vijnë e shtohen”.

Ai tha se qeveria Rama po e bën çdo ditë e më të pamundur për maturantët të vazhdojnë studimet e larta.

“Kjo situatë duhet dhe do të marrë fund. Me mua dhe PD asnjë nxënës nuk do të privohet nga e drejta për arsim për shkak të pamundësisë ekonomike. Familjet e studentëve me të ardhura më pak se 640 mijë lekë të vjetra në muaj do të përfitojnë subvencion 100% të tarifës. Familjet me të ardhura mbi 640 mijë lekë të vjetra në muaj do të paguajnë gjysmën e tarifës. Për studentët në pamundësi, buxheti i shtetit do të mundësojë bursa dhe mbështetje financiare”, theksoi ai.

Po ashtu Basha tha se “ne do ta dyfishojmë buxhetin dhe do të anulojmë Ligjin e Arsimit të Lartë, do të ofrojmë stazhe për 10 mijë studentë çdo vit. Bashkë me të rinjtë e të rejat e këtij vendi do të ndërtojmë një qeverisje normale, që ofron mundësi për arsim cilësor, punësim e një jetë normale me mundësi dhe dinjitet për të gjithë”.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re