Kryedemokrati Lulzim Basha zhvilloi sot një takim me disa prej studentëve me të cilët ka komunikuar në rrjetet sociale lidhur me çështjet e arsimit.

Ai kujtoi se pyetja që ju bëri ishte provokative, “Po të ishit për një ditë ministër Arsimi çfarë do bënit?” Si ju përgjigjet?

Një studente ju përgjigj se, “Punë e parë, ndryshimi i ligjit për Arsimin e Lartë. Problemi që ka arsimi sot në Shqipëri është…nuk di çfarë të thuash më para; duke filluar nga tarifat, nga kushtet që kemi, nga literatura që përdorim sot në shkollë, nga tarifat e larta që është një problem tepër i madh për familjet shqiptare me rrogat që marrin prindërit tonë”.

“Unë do t’ju jepja më shumë mundësi studentëve që kanë familjet më nevoje, me ndihmën ekonomike”, tha një tjetër.

Nga ana e tij Basha kërkoi rritjen e financimit për studentët që vijnë nga familje në nevojë.

“Duhet patjetër ta lidhim universitetin me tregun e punës. Dhe rruga klasike është kjo e trajnimit, e praktikës; e praktikës gjatë procesit mësimor dhe e praktikës në fund të diplomimit, në fund të Bachelor-it apo në fund të Master-it. Por duhet të ndodhë në një mënyrë që t’i lidhë të tre komponentët kryesore të shoqërisë: botën akademike; universitetet, studentët, pedagogët; tregun, sipërmarrjen dhe qeverisjen, politikëbërësit. Rritje e financimit parakusht; pa rritur e financimit asgjë nuk arrihet”, deklaroi kryedemokrati.

Ai nënvizoi nevojën e ndryshimit të ligjit për Arsimin e Lartë, duke thënë se mund të rrisësh financimin por në qoftë se gjithçka kontrollohet me dorë të hekurt nga qendra, në qoftë se për gjithçka duhet marrë leje në Ministri të Arsimit, “atëherë nuk jemi kurrkund”.

Sipas tij, duhet të fitohet autonomia e universiteteve, e fakulteteve e katedrale dhe natyrisht kjo do të thotë edhe përgjegjësi, dhe për këtë edhe roli juaj si studentë është shumë i rëndësishëm; për transparencën, për cilësinë e mësimdhënies.

Për shefin e opozitës, duhet futja e sistemit të trajnimit dual, me rritjen e praktikës dhe me praktikën në fund të studimeve.

“Këto janë tre hapa konkretë, sigurisht plani është më i detajuar të cilat e sjellin arsimin e lartë shqiptar në parametra europianë. Asnjë fëmijë shqiptari nuk duhet të privohet nga arsimi dhe nga arsimi me cilësi, për shkak të pamundësisë ekonomike të prindërve, kjo është e para. E dyta mbaroi arsimi, tregu i punës. Dhe tregu i punës ka një problem shumë të madh, edhe aty futesh me mik, si në sektorin publik që as nuk diskutohet, por tani edhe në sektorin privat na është bërë kështu, po kjo është vdekja e ekonomisë. Dhe ne sot vazhdojmë të mbetemi vendi rekord me Ballkan s’po flas për Europën, për financimin për të ulët të arsimit në tërësi dhe katastrofë të ulët sa i përket arsimit të lartë”, deklaroi ndër të tjera ai.

Më tej shtoi se se si mund të pretendojë një shoqëri dhe një komb të ecë përpara kur nuk investon tek truri i saj, tek e ardhmja e saj që është rinia studentore dhe rinia në tërësi, “ky është një paradoks apo themi një dështim i përmasave gjigande”.

“Me të vërtetë ju them që është një vend jo me mundësi të mëdha por nuk është i varfër, është vend i vjedhur jo i varfër. Patjetër t’i japim një hov, nuk mund të rrihet më kështu. Shpresa për ndryshim jeni ju. Basha: Pa diskutim!”, u shpreh lideri i opozitës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re