Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është takuar në Itali me drejtues të industrisë, infrastrukturës dhe logjistikës në rajonin e Friuli-Venezia-Giulia.

Sipas kryeopozitarit, gjatë takimit ai i ka informuar me planin ekonomik të PD-së, i cili nis me çlirimin e tregut nga krimi.

“Sot u takova me drejtues të suksesshëm të industrisë, infrastrukturës, dhe logjisitikës, në rajonin e Friuli-Venezia-Giulia.

I informova për planin tonë ekonomik, i cili nis me çlirimin e tregut nga krimi, nga oligarkia dhe korrupsioni si dhe nga burokracia.

Përmes politikave ekonomike dhe lehtësirave për të bërë biznes, do ta kthejmë Shqipërinë në një vend tërheqës për investimet e huaja, konkurrues me çdo vend tjetër në rajon.

Zhvillimi ekonomik dhe punësimi, janë prioriteti kryesor i PD. Investimet e huaja janë jetike për rritjen e punësimit dhe zhvillimin e ekonomisë.

Plani ynë ekonomik ka një fokus të rëndësishëm në këtë drejtim. Por së pari duhet garantuar konkurrenca e ndershme dhe luftuar korrupsioni që sot i mban investitorët larg vendit tonë”, shkruan Basha në postimin e tij në rrjetet sociale.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re