Në vizitën e tij në Tiranë, komisioneri për zgjerimin Oliver Varhelyi u prit edhe nga kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha. Ky i fundit e ka cilësuar shkelje të marrëveshjes së qershorit votimin në parlament të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.

“Me Komisionerin e Zgjerimit diskutuam dhe për reformën zgjedhore të miratuar në mënyrë të njëanshme dhe që shembi themelet mbi të cilat u arrit marrëveshja e 5 qershorit. Gjatë bisedës i bëra të ditur zotit Varhelyi se reforma zgjedhore është ndryshuar dhe miratuar në mënyrë të njëanshme, në shkelje të Kushtetutës.

PS duke e ditur se ndryshimet janë në kundërshtim me praktikat e mira të zgjedhjeve refuzoi marrjen e mendimit të OSBE/ODHIR. Për herë të parë në Shqipëri u shkelën praktikat konsensuale mbi të cilat janë kryer reformat zgjedhore deri më sot. Ky akt cënon rëndë standartin e zgjedhjeve, të cilat janë kusht i rëndësishëm për të ardhmen dhe integrimin e vendit” – tha Basha pas takimit.

“E sigurova Komisionierin Varhelyi se për Partinë Demokratike dhe Opozitën e Bashkuar mbetet prioritet integrimi europian i Shqipërisë dhe krijimi i mundësive për shqiptarët që të jetojnë si europianë në vendin e tyre” – u shpreh Basha.

Basha thotë se e falenderoi për ndihmën e jashtëzakonshme që BE i ka dhënë Shqipërisë për përballimin e pasojave të tërmetit dhe të pandemisë dhe e informoi për situatën tejet të vështirë ekonomike dhe korrupsionin që po i varfëron gjithnjë e më shumë shqiptarët dhe po mban larg investitorët e huaj. Sipas kreut të opozitës në këtë situatë të vështirë ndihma e BE-së është jetike për të rritur mirëqenien dhe mbështetur sipërmarrjen. 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re