Ish kryedemokrati, Lulzim Basha ka reaguar sërish për çështjen “Ahmetaj”, duke thënë se hetimi i SPAK duhet të vijojë më tej duke u shtrirë dhe tek kompanitë koncesionare të inceneratorëve.
Ai shton se SPAK i duhet hequr çdo pengesë për të ndëshkuar zyrtarët e lartë, ndërsa për këta të fundit kërkon që t’iu sekuestrohen paratë e korrupsionit.
“ Dosja e Ahmetajt, ku shfaqej se si qeveria vepronte si organizatë kriminale, tregoi dhe njëherë se duhet një paketë ligjore radikale kundër krimit dhe korrupsionit qeveritar, duke i hequr çdo pengesë dhe dhënë mbështetje të pakushtëzuar SPAK, duke nisur me:
Hetimi i mashtrimeve me kontratat dhe fondet publike;
Hetimi pa asnjë përjashtim i kontratave koncesionare;
Hetimi i pasurive të çdokujt që është përfshirë në hartimin, miratimin dhe përfitimin e kontratave koncesionare, nga juristi i thjeshtë deri tek kryeministri;
Paratë që u janë vjedhur shqiptarëve dhe kanë përfunduar në llogari bankare, apo janë investuar kudo nëpër botë, duhet t’u kthehen shqiptarëve.
Ajo që i dhemb më shumë botës së krimit dhe të korruptuarve është sekuestrimi i pasurive”, shprehet ai.
Nga ana tjetër, Basha ka përsëritur qëndrimin e tij duke kërkuar vetting të politikanëve. Sipas tij kjo është e vetmja formë që politika të “pastrohet” nga zyrtarët e korruptuar.