Ish kreu i PD, Lulzim Basha ka bërë thirrje që demokratët të sheshojnë ndasitë mes tyre në mënyrë që të përballen me kundërshtarin, për të cilin shprehet se është ulur këmbëkryq me ndihmë të atij që nxiti luftën brenda kësaj force politike.

 

“Sot është koha që demokratët të ulin thikat, duke filluar nga ai që i ngriti i pari, sepse e kemi kundërshtarin politik të ulur këmbëkryq në familjet tonë me ndihmën e atij që nxiti këtë luftë brenda nesh”, shprehet Basha.

 

Përmes disa fotove nga takimet me të rinjtë e Kamëz, ish kreu i demokratëve thekson se me 14 maj qytetarët i kthyen shpinën atyre që ai i referohet si trekëndëshi i Bermudës.

 

Në të njëjtën kohë, si provë e pastërtisë së figurës në politikë, Basha ripërsëriti thirrjen e tij për vetting të politikanëve.

 

“Unë kam vetëm një përgjigje për ata, dhe këdo që u beson atyre. Të hapim letrat dhe të tregojmë pasurinë e çdo politikani. Le ta fillojmë me mua dhe rrethin tim familjar dhe më pas me ata, fëmijët dhe familjarët e tyre. Të shohim a i justifikojnë apo jo? Ky është vettingu i politikanëve. Këtë se duan, sepse duan të baltosin dhe të godasin këdo që trazon agjendën e tyre.”, tha ai.

 

Pasi hodhi një hap pas në humbjen e tij të gjashtë, Basha u rikthye pas një tjetër humbjeje të thellë të PD, këtë herë jo në drejtimin e tij. Sipas tij, kostoja e humbjes së 14 majit i faturohet paraardhësit të tij, Sali Berisha, për të cilin shprehet se ka krijuar ndasi mes demokratëve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re