Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka deklaruar se qeveria duhet të marrë disa hapa urgjente për situatën e koronaviruysit në vend. Sipas tij masat urgjente që duhen marrë janë: blerja e një sasie të mjaftueshme të tamponëve, me të cilët kryet analiza, të krijohen ambjente të posaçme trajtimi për personat e infektuar në rrethe dhe të ndihimohen me ushqime familjet e varfëra.

“Të gjitha vendet e prekura nga COVID 19 veç masave për parandalimin e përhapjes së virusit, kanë ndërmarrë hapa konkretë për të ndihmuar financiarisht qytetarët e izoluar në shtëpitë e tyre dhe bizneset që preken nga kjo situatë. Është koha që dhe qeveria shqiptare të veprojë për të ndihmuar familjet në nevojë.”, shprehet Basha. 

Reagimi: 

Transparenca është e rëndësishme dhe thelbësore për t’u përballur me këtë gjendje të pazakontë. Është e qartë për të gjithë tashmë se kjo krizë përballohet me veprime konkrete dhe hapa të vendosur dhe jo me gjysëm të vërteta apo akoma më keq, me propagandë. Shumë qytetarë kanë shprehur shqetësim mbi  mungesën e tamponeve të testit për COVID 19. Është urgjente dhe e rëndësishme blerja e menjëhershme e një sasie të mjaftueshme tamponësh me të cilët kryhen testet që saktësojnë nëse je apo jo bartës i COVID 19. Sa më shpejt të identifikohen të prekurit, aq më shpejt mundësohet izolimi dhe trajtimi i tyre duke minimizuar përhapjen e mëtejshme të virusit. Çdo vonesë në sigurimin e një numri më të madh tamponësh testimi do të na kushtojë shumë.
 Veç kësaj duhen krijuar ambjente të posaçme trajtimi për personat e prekur me COVID 19 edhe në qytete të tjera të vendit ku numri i të prekurve sa vjen e rritet. Të prekurit nga virusi nuk kanë pse të përplasen të gjithë në Tiranë kur mund tu krijohet mundësia të trajtohen në ambjente të ngritura në qendrat e  qarqeve. Neglizhenca në marrjen e masave të menjëhershme për shtimin e pajisjeve dhe rritjen e kapaciteve të ambjenteve spitalore dedikuar trajtimit të personave me COVID 19 mund të ketë pasoja shumë të rënda. Në këtë situatë, qeveria duhe të marrë masa urgjente të ndihmojë me ushqime dhe detergjentë familjet e varfra dhe ato në nevojë ekonomike. Çdo ditë që kalon e bën të vështirë dhe të pamundur që një pjesë e konsiderueshme e bashkëqytetarëve të përballojnë mbijetesën. Të gjitha vendet e prekura nga COVID 19 veç masave për parandalimin e përhapjes së virusit, kanë ndërmarrë hapa konkretë për të ndihmuar financiarisht qytetarët e izoluar në shtëpitë e tyre dhe bizneset që preken nga kjo situatë. Është koha që dhe qeveria shqiptare të veprojë për të ndihmuar familjet në nevojë.
 Të dashur bashkëqytetarë, kjo është një kohë sakrificash që gjithsecili prej nesh duhet ti bëjë për shëndetin e tij dhe të familjes. Prandaj është e rëndësishme të ndiqni me përpikmëri këshillat e mjekëve. Mos neglizhoni asnjë shqetësim që mund të keni dhe tregojini ato me vërtetësi përfshirë dhe historikun tuaj të udhëtimeve apo kontakteve që keni patur.  Në këtë mënyrë e bëni më të lehtë trajtimin tuaj si dhe mbroni stafet mjekësore dhe qytetarët e tjerë.

Bilanci i COVID-19 në Shqipëri ka shkuar në 38 të prekur. Dy të moshuar, në Fier dhe në Lushnje, janë shtruar në terapi intensive pasi kanë pasur komplikacione me shëndetin. Disa ditë më parë një prej të prekurve, ndërroi jetë në Spitalin e Durrësit ndërsa deri më tani vatra e të infektuarve është zgjeruar në Tiranë, Rrogozhinë, Elbasan, Durrës, Lushnje dhe Fier. Mes të infektuarve është dhe një mjek, i cili i kishte shërbyer të moshuarës që ndërroi jetë në Durrës. Ndërkohë jeta në vend është paralizuar thuajse totalisht, nuk ka transport publik, po ashtu dhe shumë vende punë janë mbyllur. Shumë qytete janë në ‘shtet-rrethim’ dhe është ndaluar dhe lëvizja e makinave private. E vetmja këshillë e përbashkët e institucioneve dhe mjekëve është që qytetarët të qendrojnë në shtëpi dhe të kenë sa më pak kontakte me të tjerët.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re