Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, nga Korça, ku zhvilloi takim me të rinjtë korçarë foli për arsimin dhe veçanërisht universitetet.

Basha u shpreh se kjo qeveri ka shpenzuar 120 milionë euro në koncesione, ndërsa këto para fare mirë mund t’i çonte për modernizimin e arsimit në vend.

“Arsimi duhet të jetë prioriteti i çdo kombi që synon përparim. Siç është rinia sot, do të jetë vendi nesër. Vendet e përparuara mbështesin arsimin parauniveristar me buxhet në rritje. Shqipëria është i vetmi vend, ku nuk ndodh kjo. Buxheti është pasqyra e qeverisjes, por këta ende nuk e kanë publikuar. Po ju tregoj një shifër që është rrënqethëse: 120 milionë euro janë planifikuar vetëm për koncesionet, 10 apo 12 të tilla. Do të mjaftonin 70 milionë euro për të bërë një revolucion total për universitetet dhe arsimin e lartë.

Me vetëm 35 milionë euro do të mund të financonim tarifat për studentët që vijnë nga familje me të ardhura të ulëta. Të njëjtën shumë ne do të dedikojmë për infrastrukturën, dixhitalizimin, trajnimin e pedagogëve, sjelljen e pedagogëve të huaj, trajnimin profesional sipas modelit gjerman – gjysma e kohës në fakultet, gjysma në praktikë. Në planin tonë, për 10 mijë më të mirët, ne do të paguajmë stazhin për 1 vit. Ja ku do t’i çoja unë dhe qeveria ime këto para sot dhe ja ku i ccon kjo qeveri. 120 milionë euro i marrin 6-7 njerëz, që janë vjedhje të pastra. Shqipëria i ka të gjitha mundësitë që të ndryshojë menjëherë cilësinë e universiteteve shqiptare. Por kjo qeveri zgjedh t’ua japë këto para disa oligarkëve dhe lë rininë në mëshirë të fatit”, tha Basha.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re