Një mbrëmje hyjnore të bashkimit e ka cilësuar Lulzim Basha mbledhjen e militantëve të tij në sheshin ‘Nënë Tereza’ në kundërshtim me masat anti-covid.

“Vetëm 31 ditë na presin për të nisur rrugën e punësimit, integrimit dhe ndryshimit.

Ne jemi këtu sepse ju keni marrë një vendim të rëndësishëm, që të hapni një faqe të re të historisë. Familja jonë e madhe ka nevojë më shumë se kurrë për ndryshim rrënjësor” – tha Basha.

Kreu i PD vijoi më tej duke u shprehur se krenari kombëtare duhet kthyer në vendin që i takon.

Ai tha se pasuritë e kombit po grabiten dhe një mendje e errët po tenton të mbjellë frikën në popull.

“Ne po bëjmë një sakrificë. Ne po shkulim një kastë që ka vendosur të përvetësojë për interesat e veta të gjitha pasuritë.

Po luftojmë kundër një grushti njerëzish që janë gati të bëjnë gjithçka. Por ne po zhvillojmë një betejë tjetër, një betejë brenda vetes. Sepse e di që pas 8 vitesh keni një zhgënjim me qeverisjen” – tha ai.

Lulzim Basha shtoi se për muaj të tërë ai ka shkuar në çdo cep të vendit ku ka ndjerë etjen për ndryshim.

“Kam prekur me duart e mia shpresën. Kam folur dhe kam shpjeguar se gjërat mund të shkojnë më mirë. Kam njoftuar në çdo derë se ndryshimi po vjen” – u shpreh Lulzim Basha.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re