Kryetari i PD, Lulzim Basha ka nisur takimet në terren. Me maskë dhe duke respektuar rregullat e distancimit fizik kryedemokrati ka zhvilluar disa takime me bizneset dhe qytetarët në kryeqytet.

Gjatë takimeve nuk ka patur shtrëngime duarsh, por kryedemokrati ka gjetur një mënyrë interesante përshëndetjeje me brryl.

“Pjesa më e madhe e qytetarëve që takoj në Tiranë i kanë respektuar rregullat e higjenës dhe të distancimit social. Megjithatë shqetësim serioz mbetet situata ekonomike e rënduar nga pandemia e COVID-19. Janë të shumtë qytetarët që nuk kanë marrë asnjë lek ndihmë për kohën e kaluar mbyllur në shtëpi. Edhe bizneset përballen me vështirësi të mëdha. Mungesa e ndihmës rrezikon mbylljen e shumë prej tyre ndërsa të shumtë janë dhe ata që janë detyruar të heqin të punësuar nga listpagesat.”, shkruan kryedemokrati.

Sipas Bashës, gjendja ekonomike është e vështirë dhe “xhepat e shqiptarëve janë shkundur nga pandemia ekonomike e qeverisë Rama”.

“Qeveria Rama i la pa ndihmë shumicën e qytetarëve dhe bizneseve. Rinisja e aktivitetit normal është shumë e vështirë për ta tashmë që veç faturave dhe taksave të larta, përballen me uljen e numrit të blerësve dhe ankthin për të ardhmen e pasigurt. Xhepat e shqiptarëve janë shkundur nga pandemia ekonomike e qeverisë Rama. Asnjë formë propagande dhe cirku qeveritar nuk e fsheh dot pasigurinë dhe varfërinë e tejskajshme që po pllakos në familjet shqiptare.”, shkruan Basha.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re