Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, ka reaguar pas bashkëbisedimit virtual që ka pasur sot me ambasadoren amerikane në Tiranë, Yuri Kim.

Ajo thekson se e ka informuar Ambasadoren lidhur me përballimin e situatës në Bashkinë e Shkodrës dhe e siguroi se Shkodra dhe shkodranët, “me qytetarinë, karakterin, me solidaritetin në ditë të vështira dhe bashkëpunimin që i karakterizon do ta përballojnë këtë sfidë”.

REAGIMI I PLOTE I VOLTANA ADEMIT

Dua të falenderoj Ambasadoren e SHBA-së në Tiranë, Zonjën Yuri Kim, me të cilën pata kënaqësinë të komunikoj sot nga Shkodra.

E falënderova për interesimin dhe mbështetjen e treguar në vazhdimësi për Shkodrën, nga ajo personalisht, por edhe nga Ambasada Amerikane, edhe në këto ditë jo të lehta që po kalojmë.

Gjatë bisedës, informova Ambasadoren lidhur me përballimin e situatës në Bashkinë e Shkodrës, masat e marra për parandalimin e përhapjes së virusit, për mbështetjen e individëve dhe familjeve në nevojë, për bashkëpunimin dhe punën e Bashkisë Shkodër me institucionet dhe qytetarët, me organizatat e shoqërisë civile dhe biznesin.

Bashkia e Shkodrës do të bëjë çdo gjë, duke vënë të gjithë kapacitetet e mundësitë e saja, për të kaluar me sa më pak pasoja përballjen me COVID19, për të ndihmuar çdo ditë në vazhdimësi, duke shkuar tek secila familje!

Unë e besoj, dhe e sigurova Ambasadoren, se Shkodra dhe shkodranët, me qytetarinë, karakterin, me solidaritetin në ditë të vështira dhe bashkëpunimin që i karakterizon do ta përballojnë këtë sfidë. Kjo është e mundur! Nëse qëndrojmë në shtëpi dhe mbajmë higjienën personale.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re